Ekzistojnë shumë arsye për ta votuar Rexhep Kadriun, gjilanasit e mirëpresin kandidaturën e tij
Gjilan – Ka shumë arsye pse Anamorava, e veçanërisht Gjilani, duhet ta shohë me seriozitet dhe ta mbështesë fuqishëm kandidaturën e Rexhep Kadriut, i cili kësaj radhe garon nën ombrellën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me përvojën e tij të gjatë institucionale dhe kontributin e pakontestueshëm për projektet strategjike të qytetit, Kadriu konsiderohet nga shumë gjilanas si një prej zyrtarëve që ka punuar me përkushtim të rrallë me zemër, me vullnet dhe me ideal të pastër publik.
Kadriu, që tashmë ka konfirmuar kandidimin e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës, gëzon respekt të veçantë në Gjilan falë rolit të tij vendimtar si ish-zëvendësministër i Infrastrukturës dhe ish-nënkryetar i komunës.
Gjatë mandatit të tij, janë shtyrë përpara projekte madhore për qytetin dhe rajonin, përfshirë nisjen e autostradës së Gjilanit dhe mbështetjen e një sërë investimesh infrastrukturore, nga rrugët lokale deri te brezi kufitar.
Kadriu, në një deklaratë për rajonipress, tha se kandidatura e tij është pritur mirë nga publiku:
“Kam treguar eksperiencë, profesionalizëm dhe angazhim maksimal për trevën e Anamoravës. Kam punuar me ndërgjegje të pastër dhe asnjëherë nuk kam lejuar që projektet që i takojnë kësaj ane të mbeten në vend. Fatkeqësisht, sot jemi para një realiteti tjetër, proceset janë ngadalësuar dhe mungesa e vullnetit qeverisës ka krijuar një atmosferë pa shpresë për përfundimin e projekteve të mëdha.”
Ai shtoi se tani është koha që gjilanasit të vendosin me arsye e përgjegjësi se kush duhet t’i përfaqësojë në katër vitet e ardhshme.
“Gjilani dhe Anamorava janë në një moment jetik. Duhet të punojmë fort që t’ia rikthejmë normalitetin politik e institucional qytetit tonë. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që vota e tyre kësaj radhe të mos keqpërdoret, duhet votuar për njerëzit që punojnë, që dinë të angazhohen dhe që sjellin investime,” theksoi Kadriu.
Gjatë karrierës së tij, Rexhep Kadriu ka mbajtur pozita të rëndësishme, si nënkryetar i Komunës së Gjilanit, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Qytetarët e kujtojnë si një kuadër që ka qenë vazhdimisht pranë nevojave të njerëzve, i qasshëm dhe i besueshëm.
Besimi qytetar nga Gjilani shprehet se Kadriu është kandidati i duhur: “Rexhep Kadriu flet dhe punon për qytetarët, jo për interesat e veta. Këtë e ka dëshmuar për vite të tëra.”
Ndërsa Irfani, një tjetër qytetar gjilanas, beson se Kadriu do të jetë fitues në këtë garë:
“Jam i bindur se angazhimi i tij në Kuvend do të sillte vetëm të mira për Anamoravën. Ai e shtyn përpara çdo iniciativë që lidhet me zhvillimin e zonës sonë, gjilanasit nuk duhet të hezitojnë asnjë sekondë.”/rajonipress/



