Hajnat bëjnë kërdi në Stublinë, policia dhe hetuesia vonohen në çdo pistë
Gjilan – Fundjava ka sjellë shqetësim të madh në fshatin Stublinë, ku hajnat kanë depërtuar në dy shtëpi, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm. Nga shtëpitë janë vjedhur edhe armë me leje, ndërsa janë thyer dyer e dritare. Megjithëse prokuroria dhe policia kanë pasur në dispozicion edhe tabelat e veturës së dyshimtë, deri në këtë moment nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
Brezi kufitar, i cili prej më shumë se 23 vitesh nuk ka përjetuar raste të tilla, këtë fundjavë u përball me një situatë tepër alarmante. Sipas banorëve, hajnat janë identifikuar nga disa prej tyre, ndërsa edhe vetura me të cilën janë larguar është parë qartë. Pavarësisht kësaj, as prokuroria e as policia nuk kanë reaguar me veprime të menjëhershme.
Banorët shprehen të zhgënjyer me pasivitetin, sidomos të policisë kufitare, e cila sipas tyre nuk e ka ndaluar veturën e dyshimtë, ndonëse ajo është parë duke qarkulluar shtatë herë brenda një ore në zonë.
Ata theksojnë se policia është dashur që ditën e parë të ndalojë çdo automjet që përputhej me përshkrimin e dhënë nga banorët. Në vend të veprimit, thonë ata, deri më tani është bërë vetëm ndërrimi i hetuesve, ndërsa të dëmtuarit vazhdojnë të maltretohen me deklarata të përsëritura, pa asnjë rezultat konkret.
Banorët kërkojnë urgjentisht veprim, siguri dhe përgjegjësi./rajonipress/


