Gjilani ka nevojë për deputetë profesionistë, të afërt me qytetarët dhe të lidhur me projektet zhvillimore
Gjilan – Ndërsa partitë politike po finalizojnë listat e kandidatëve për deputetë, qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës po theksojnë nevojën urgjente që kësaj radhe të dominojnë profesionistët: njerëz të aftë, të përkushtuar dhe të gatshëm të punojnë për interesat e rajonit, e jo për karriera individuale.
Përfaqësimi i dobët i Anamoravës në institucionet qendrore, sipas qytetarëve, ka bërë që ky rajon të mbetet ndër më të pazhvilluarit në vend. Autostrada ka mbetur e bllokuar tash e katër vjet, rruga Gjilan – Prishtinë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, ndërsa projektet kapitale janë thuajse të padukshme.
Kjo ka shtyrë shumë qytetar të kërkojnë përfaqësues të tjerë në Kuvend, njerëz me integritet, dije, eksperiencë dhe energji, që dinë të punojnë me qytetarin dhe të mbrojnë interesat e rajonit.
Nuhiu, një qytetar i Gjilanit, thotë se kësaj radhe adresa e votës duhet të jetë ndryshe.
“Duhet t’i ndëshkojmë deputetët që janë marrë me sharje, linçime dhe sjellje të padenja. Gjilanit i duhen njerëz me vlera, jo rrugaçë që vetëm dëmtojnë imazhin e qytetit.”
Edhe qytetari tjetër, Hetemi, mendon se është koha që Gjilani “të mendojë për vete” dhe të kërkojë përfaqësim të denjë.
“Deri tani kemi pasur deputetë që kanë vrapuar pas interesave personale e partiake. Kanë lënë pas dore nevojat që i ka ky rajon. Kështu nuk mund të ecim përpara.”
Qytetarët presin që listat e reja të sjellin fytyra të reja, profesionale dhe të përkushtuara, për t’i dhënë Gjilanit dhe Anamoravës vendin që meritojnë në zhvillimin e vendit./rajonipress/


