Abdixhiku: Sokoli ka qenë gjithmonë shembull i udhëheqjes së qetë, të matur e të vendosur
Viti – Me pritje të ngrohtë e me përplot gëzim, urova Sokol Halitin për fitoren e radhës në Viti. Një fitore e merituar, e ndërtuar mbi vite pune, përkushtimi e respekti ndaj qytetarëve të kësaj ane. Sokoli ka qenë gjithmonë shembull i udhëheqjes së qetë, të matur e të vendosur; një model që e nderon Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe traditën e saj në Viti ka shkruar Lumir Abdixhiku.
“Fitorja në këtë anë të Anamoravës është përmbushje e mozaikut të madh të fitores sonë në gjithë Kosovën; një dëshmi se besimi në punë, në vlera dhe në LDK-në po rikthehet fuqishëm. Sokolit dhe ekipit të tij urime. Le të bëhemi tani gati për garën e radhës.
Faleminderit për pritjen e madhe” ka shkruar Abdixhiku.
Kurse Sokol Haliti ka shkruar:
Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në Viti kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, bashkë me ekipin e tij, me bisedë të ngrohtë, me shumë respekt e mirëkuptim. Fjalët e tij për punën që kemi bërë në Viti, për zhvillimin, për projektet, për përkushtimin ndaj qytetarëve, ishin vlerësim që e ndjeva sinqerisht.
Jam mirënjohës për urimin dhe për mbështetjen, por mbi të gjitha për besimin që qytetarët e Vitisë më kanë dhënë sërish. Ky besim është përgjegjësi dhe forcë në të njëjtën kohë. Më shtyn të ec përpara me më shumë vendosmëri, me përkushtim të plotë e me bindjen se puna e ndershme dhe e përditshme është ajo që bën ndryshimin.
Vitia do të vazhdojë të ecë përpara, me punë, me zemër dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallime, PËRTEJ!



