Demolim e shkatërrim në qendër të qytetit, makth apo nevojë urgjente e Komunës?
Gjilan – Kjo po bëhet në kuadër të projektit më të madh kapital në historinë e Gjilanit, Bulevardin e qytetit, me investim prej 18 milionë euro, gurthemeli i së cilit u vë me 2 shtator të këtij viti ka shkruar Alban Hyseni. Qytetarët ndërkaq i kanë rezervat e veta sa i përket shkatërrimit të një trashëgimie infrastrukturore që i përket qendrës së qytetit.
Eskavatorët e kanë nisur punën menjëherë pas zgjedhjeve. Ish Gjykata, Prokuroria, Policia e një pjesë e burgut famëkeq të Gjilanit tashmë po rrënohet, po shkatërrohet e demolohet sepse aty pritet të ndërtohet një administratë komunale efikase.
Një projekt të tillë, në mendje e kishin edhe Qemajl Mustafa e Lutfi Haziri, por asnjëri se morën guximin ta jetësojnë në praktikë.
Alban Hyseni një ditë pasi u zgjodh kryetar e nisi me pompozitet, në stilin e tij tashmë të njohur me dronë e kamera, për të treguar se pas katër vitesh po nisë diçka e re në Gjilan.
“Kjo po bëhet në kuadër të projektit më të madh kapital në historinë e Gjilanit, Bulevardin e qytetit, me investim prej 18 milionë euro, gurthemeli i së cilit u vë me 2 shtator të këtij viti. Ky bulevard do të ketë 450 metra gjatësi, rreth 30 mijë metra katror hapësirë publike, 500 parkingje nëntokësore si dhe objektin e ri të administratës komunale me sipërfaqe prej 8,700 metra katror” ka thënë Hyseni.
Por qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth këtij projekti.
Shabani një gjilanas mendon se ky projekt është dashur të debatohet edhe me qytetar e shoqëri civile. “Unë skam dëgjuar se madje ka leje kjo iniciativë për ta rrënuar e shkatërruar një pasuri të qendrës së qytetit” tha ai.
Mustafa një tjetër qytetar vlerëson se ky projekt nëse realizohet do të ishte diçka e jashtëzakonshme për Gjilanin.
“Nëse realizohet ky projekt do të kemi një qendër krejt ndryshe, edhe pse në këtë projekt duhet të kyqen njerëz, ekspert e profesionist të aftë edhe nga Prishtina pse jo edhe ndërkombëtar, sepse është projekt gjigant që i tejkalon nivelet lokale” thotë ai./rajonipress/



