ARKATANA

Arbër Ismajli: Më afër se kurrë fitores, por edhe më larg saj nëse nuk arrin ta menaxhojë publikun

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Koalicioni LDK–PDK ka ringjallur gjasat dhe shpresat që në Gjilan të rikthehet dinjiteti institucional, të zhbëhen “vrimat e zeza” të mjerimit politik, të mungesës së transparencës dhe komunikimit me qytetarët e shoqërinë civile. Nëse Arbër Ismajli arrin të kthjellohet politikisht dhe tregohet i vëmendshëm ndaj shtresave që nuk i ka takuar më parë, ai shumë lehtë mund ta fitojë Gjilanin. Por, po aq lehtë mund ta humbë, nëse vazhdon me këtë “distancë dioptrike” që e ka karakterizuar deri më tani, duke ia dhuruar fatkeqësisht fitoren Alban Hysenit, që do ta kthente qytetin në mjerim dhe ndëshkim kolektiv.

Të dielën, Arbër Ismajli dhe Alban Hyseni do të përballen sërish në “mejdanin qytetar”. Hyseni, në stilin e tij tashmë të njohur demagogjik, vazhdon të flasë për realizime të projekteve dhe investime milionëshe, investime që Gjilani nuk i pa kurrë gjatë qeverisjes së tij.

Nga ana tjetër, Arbër Ismajli, pas koalicionit me PDK-në, ka rritur dukshëm shpresat për t’i dhënë fund një qeverisjeje që e ka dëmtuar seriozisht Gjilanin. Ai është shumë pranë fitores, por vetëm nëse arrin ta kuptojë sinqerisht mesazhin e çdo qytetari dhe grupi që kërkon ta takojë. Deri tani, Ismajli ka qëndruar disi indiferent dhe nuk e ka shfrytëzuar potencialin e qytetarëve të papërcaktuar, që janë të shumtë në numër dhe mund të vendosin rezultatin përfundimtar.

Uji Dea

Arbër Ismajli duhet të lirohet nga kompleksi i “distancës dioptrike” dhe ta kuptojë se edukimi familjar nuk mjafton për ta mposhtur kundërshtarin politik. Përmendet shpesh se Alban Hyseni është familjar i afërt i Sejdo Bajramoviqit, por askush nuk e pyet drejtpërdrejt për këtë fakt.

Nëse dëshiron fitoren, Arbër Ismajli duhet të kthjellohet, të dëgjojë dhe të respektojë qytetarët. Ai është fokusuar kryesisht në aktivistët e LDK-së, por kjo është krejtësisht e pamjaftueshme për të fituar garën. Duhet të dalë çdo ditë në terren, në çdo fshat e lagje nga Pograxha e Dobërqani, te Stublina, Bilinica, Sllubica, Kokaj e Llovca, zona që i ka frekuentuar shumë pak deri më tani.

Në anën tjetër, Alban Hyseni nuk është treguar kurrë më i dobët politikisht sesa tani. Ai flet pa asnjë vepër konkrete prapa vetes, sikur Gjilani të ishte Ferizaj. Por qytetarët tashmë e kanë kuptuar propagandën e tij të lodhur dhe e dinë mirë realitetin. /rajonipress/