Celina mbron vendimin për të kaluar në moshë të re te City
Sulmuesi kosovar Bersant Celina ka mbrojtur vendimin e tij për t’u larguar nga Norvegjia në moshë të re për t’iu bashkuar skuadrës së madhe angleze Manchester City. Celina insiston se ka marrë vendimin e duhur kur vendosi të largohet si 15-vjeçar nga ekipi U-19 i Stromgodsetit për të kaluar te skuadra angleze në verën e vitit 2012.
Celina 18-vjeçar, edhe edicionin 2015/16 do të luajë me ekipin U-21 të Cityt me gjithë faktin se ishte në përgatitjet parasezonale me ekipin e parë.
Ai nuk e regjistroi asnjë minutë me ekipin e parë të Cityt gjatë këtyre përgatitjeve kurse të hënën mbrëma shënoi nga gjuajtja e lirë në barazimin e ekipit U-21 (2:2) kundër Southamptonit. Celina vitin e shkuar ka firmosur kontratë profesioniste me skuadrën e Cityt, shkruan sot Koha Ditore.
“Kur shkova në Angli ndryshova si person. Ishte vështirë për mua të largohem nga shokët dhe familja, por te City vetëm sa jam forcuar edhe më shumë.
Nuk shoh ndonjë arsye për ta refuzuar njërën prej skuadrave më të mëdha nëse të zgjedh si 15-vjeçar”, është shprehur Celina, i cili ka gjasa të mëdha që këtë edicion të huazohet në ndonjë ekip tjetër për të fituar përvojë.
Në Norvegji është hapur debat për largimin e lojtarëve në moshë të re në drejtim të klubeve të mëdha evropiane. Ekspertët po insistojnë se futbollistët e moshës së re nuk duhet të largohen nëpër skuadrat e mëdha pa u “pjekur” në futbollin norvegjez..
http://koha.net/?id=6&l=70352

