Eko Higjiena

Kur shpërblehen krimet

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

​Nga Imer Mushkolaj – Ata që do të akuzohen nga Gjykata Speciale le ta shesin pasurinë e fituar jashtëligjshëm për të paguar mbrojtjen. Ose le t’ua marrin paratë atyre që e kanë miratuar ligjin. Kosovarët nuk kanë para për të paguar fatura krimesh. Ata mund të dënohen për krimet që i kanë bërë, por ne duhet të paguajmë për veprimet e tyre. Këtë e mundëson ligji për ndihmë juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale.

Qysh para disa javësh një grup i shoqërisë civile kundërshtoi nëpërmjet një letre të hapur këtë projektligj, por megjithatë Qeveria vendosi ta procedojë në Kuvend, ku edhe u miratua.

Ka shumë arsye pse qytetarët e Kosovës nuk do të duhej të paguanin për të akuzuarit dhe të dënuarit potencialë. Por, më e forta është se krimet e supozuara të kenë ndodhur janë krime të individëve dhe, pavarësisht se dikush mbase mund të thotë se janë bërë “në emër të popullit”, ato nuk kanë të bëjnë asgjë as me popullin, as me UÇK’në, as me vendin. Andaj, paratë publike nuk ka pse të shpenzohen për mbrojtjen e individëve të akuzuar për të kaluarën e tyre potencialisht kriminale.

Në letrën e hapur, publikuar para sa javësh si thirrje për të mos e miratuar ligjin, është thënë, po ashtu, se Gjykata Speciale në fakt është një tribunal ndërkombëtar, fondet për funksionimin e saj sigurohen nga Bashkimit Evropian, andaj të akuzuarve duhet t’iu ofrohet mbrojtja pa pagesë, si e drejtë e njeriut, pikërisht nga përkrahësit ndërkombëtarë të gjykatës, jo nga Kosova.

Paratë e kosovarëve nuk janë përdorur në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK’së në Hagë, andaj nuk është dashur kurrsesi të krijohet precedent në këtë çështje. Natyrisht, nuk do të kishte asgjë të keqe që të organizohen fonde vullnetare për mbrojtje ligjore të të akuzuarve potencialë, por jo të shpenzohen para të buxhetit të shtetit.

* * *

Emrat e përfolur si shënjestra të mundshme për ngritje aktakuzash nuk qëndrojnë keq financiarisht. Shumë nga ta gjatë gjithë viteve të pasluftës kanë krijuar pasuri të pafund, duke përdorur famën e të qenit komandantë. Të tjerë kanë blerë prona në procese të dyshimta privatizimi, duke përdorur kartën e të fortëve. Kanë ndërtuar pallate e biznese, kanë shtrirë ndikimin në politikë e institucione. Gjithçka kanë bërë në emër të luftës, në emër të bëmave të luftës, heroizmave të luftës.

Gjatë gjithë viteve të pasluftës ata janë sjellë plot prepotencë e arrogancë, duke bërë çfarë kanë dashur, pa respektuar rregulla e ligje. Kanë qenë të favorizuarit e sistemit, të favorizuarit e shtetit. Pse duhet që këtyre njerëzve t’iu sigurohet mbrojtje dhe mbështetje ligjore milionëshe nga paratë e buxhetit të vendit, duke i favorizuar sërish?

Hidromorava

Natyrisht, duhet kuptuar sentimentin e familjarëve të të akuzuarve potencialë, por ata është dashur që të mendojnë me kohë se çfarë mund të jenë pasojat e veprimeve të veta për të afërmit e tyre. Është dashur ta dinë se herëdokur do të përgjigjen për veprimet e veta të pandërgjegjshme dhe të papërgjegjshme. Sepse, mirëqenia e familjes nuk ndërtohet mbi veprime kriminale dhe duke e dëmtuar mirëqenien e shtetit.

* * *

Qytetarët e Kosovës nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për të kaluarën e dyshimtë dhe bëmat e dyshimta të disa individëve, të cilët mund ta kenë shfrytëzuar situatën për të bërë gjëra të këqia. Andaj, taksat e tyre në vend që të përdoren për t’iu ofruar atyre mbrojtje ligjore, duhet të përdoren për hapje të vendeve të punës, rritje të mirëqenies dhe zhvillim ekonomik.

Nëse këta individë kanë qenë të privilegjuar në një kohë, duke bërë çfarë kanë dashur dhe duke vendosur për gjithçka, nuk duhet dhënë shans që të tillë të jenë edhe më tej dhe krimet e tyre t’i mbulojmë me paratë tona.

Kosovarët duhet të jenë të vetëdishëm se shfrytëzimi i parave të tyre për mbrojtjen e të tillëve është keqpërdorim i skajshëm dhe nuk ka të bëjë asgjë me patriotizmin. Kosovarët duhet të jenë të vetëdishëm se me veprimet e tyre të papërgjegjshme ata nuk i kanë ndihmuar as vendit, as atyre, por vetëm sa i kanë dëmtuar ata.

Në vend se të jenë barrë e jona, le ta shesin pasurinë e fituar jashtëligjshëm për ta paguar mbrojtjen e tyre. Ose, le t’ua paguajnë nga xhepi i tyre ata që e kanë miratuar ligjin. Le të gjejnë para në fondet milionëshe të mbledhura në emër të shtetit e luftës, ose kudo tjetër. Por, mos të na ngarkojnë edhe këtë barrë. Mjaft na kanë nxirë imazhin faqe botës dhe do të ishte e tepërt tash që të paguajmë për pastrimin e imazhit të tyre.

Ne nuk iu kemi thënë të kryejnë krime. Ne nuk ndihemi përgjegjës. Ne nuk kemi para për të paguar fatura krimesh. Ne nuk kemi para për të paguar për epshe të shfrenuara në kohë shfrenimi. Ne nuk duhet të shpërblejmë krime.