Shumë lart!
Futbolli shqiptar nuk ka qenë kurrë më lart sesa sot. Shqipëria ka shënuar rekord, duke u radhitur në vendin e 22-të në botë. Një faqe të historisë e ka shkruar edhe Skënderbeu, duke mbërritur në prag të Ligës së Kampionëve.
ërparimi i futbollit shqiptar po vazhdon vrullshëm. Vendi i 22-të në botë dikur ishte thuajse i paimagjinueshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por sot kjo është realitet. Kombëtarja shqiptare figuron pikërisht në vendin e 22-të të ranglistës botërore, të publikuar të enjten nga FIFA. Kështu, kuqezinjtë e Gianni De Biasit shënuan rekord historik për futbollin shqiptar, duke lënë prapa vetes edhe shtete me futbollin më të zhvilluar, si Francën, Suedinë, Danimarkën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë e shumë tjera.
Në muajin e kaluar, pas fitores me Francën, Shqipëria pati shënuar rekord, duke u pozicionuar në vendin e 36-të. Por, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ia dha në tavolinë fitoren 3:0 ndaj Serbisë, ekipi kuqezi u ngjit në kuotën e 888 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 22-të.
Duhet kujtuar se në dekadën e fundit, madje nga viti 2002, Shqipëria ka bërë progres të madh, duke fituar shumë shpejt respektin e botës së futbollit, i cili i kishte munguar kaherë.
Por, ajo që ka shumë rëndësi është fakti se Shqipëria nuk po shënon përparim vetëm përmes Kombëtares, por në çdo aspekt. Klubet e saj po zhvillohen me të madhe. Këtë e konfirmon Skënderbeu, i cili të enjten e siguroi kualifikimin në Europa League, pas dy fitoreve me rezultat të përgjithshëm, 4:0, ndaj Milsamit. Përpos që fitoi edhe 3 milionë euro, klubi korçar mbërriti në “Play-Off” të Ligës së Kampionëve, dhe i duhet ta eliminojë veç edhe një kundërshtarë për të hyrë në fazën e grupeve, aty ku do të garojnë më të fortit e Evropës. Kundërshtarin e radhës Skënderbeu do ta mësojë të premten, por përballë do ta ketë padyshim një skuadër të fortë. Sidoqoftë, arritja deri këtu, është rekord historik i korçarëve./zeri/
Renditja e FIFA-s
1. Argjentina
2. Belgjika
3. Gjermania
4. Kolumbia
5. Brazili
6. Portugalia
7. Rumania
8. Anglia
9. Uellsi
10. Kili
—————-
22. Shqipëria


