KKVITI

Korrupsioni sistematik

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

​Nga Burim Ramadani – Tashmë kur një temë e madhe e mori një epilog, që për një kategori shihet si e ‘keqja e domosdoshme’ dhe për katogrinë tjetër ‘gabimi i madh’, shoqëria kosovare duhet përballur me të vërtetën e brendshme. Dhe, kjo e vërtetë e brendshme ndërlidhet me nivelin e lartë të korrupsionit, me avancimin tejet dëmtues të krimit të organizuar, me rrjetet e trafiqeve të drogave dhe të qenieve njerëzore, me mosfunksionimin e plotë të sistemit në përgjithësi
Korrupsioni në Kosovë është sistematik. Është i bërë i tillë gjatë viteve. Besoj se është gabim të mendohet vetëm se korrupsioni është një e keqe që po ndodh në nivele të caktuara, gjë që do të mund të ndalet shpejt dhe lehtë.

Problemi me korrupsionin është tek avancimi nga një nivel i caktuar në pothuajse logjikë vepruese shoqërore. Se si ka arritur deri këtu, është çështje tjetër! Porse, do të ishte më mirë sikur ta shohim të vërtetën ashtu siç është. Apo, siç mund të jetë.

Pothuajse në secilën situatë, korrupsioni është bërë mënyrë e sjelljes. Për më keq, është bërë mënyrë e pranueshme e sjelljes. Në shkollë, në spital, në qendër të mjekësisë familjare, në universitet, në komunë, në gjykatë, në administratë, në biznes, në rrugë, në lokal.

Edhe më rëndë dhe më trishtueshëm në institucioneve qeverisëse vendimmarrëse, në ndërmarrje publike apo në sistem të drejtësisë. Pra, aty ku vendimmarrja është përgjegjësia kryesore. Dhe, aty ku vendimmarrja mund të korruptohet, absolutisht rrjedhat e mëtutjeshme të zbatimit të asaj vendimmarrje shumëzohen.

Rendi dhe ligji na duhen. Bash sikur buka e uji. Sikur ajri.

Kjo shoqëri dhe ky shtet po lëngon nga dëmi që i shkakton vetes në vazhdimësi. Me vite të tëra, që realisht kanë thelluar gabimet dhe kanë shumëzuar pasojat.

Uji Dea

Tashmë kur një temë e madhe e mori një epilog, që për një kategori shihet si e ‘keqja e domosdoshme’ dhe për katogrinë tjetër ‘gabimi i madh’, shoqëria kosovare duhet përballur me të vërtetën e brendshme. Dhe, kjo e vërtetë e brendshme ndërlidhet me nivelin e lartë të korrupsionit, me avancimin tejet dëmtues të krimit të organizuar, me rrjetet e trafiqeve të drogave dhe të qenieve njerëzore, me mosfunksionimin e plotë të sistemit në përgjithësi.

Këto janë dhe do të jenë detyrat kryesore të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Asnjë prej këtyre temave veç e veç dhe as si të përbashkëta nuk kanë sesi të mos trajtohen. Sot, nesër apo as shumë vitesh. E përbashkëta e të gjithave është se këto dukuri të këqija duhet të marrin përgjigjen ligjore apo ndëshkimin ligjor. Si të doni quajeni.

Por, Kosova, shteti dhe shoqëria, duhet përgjithmonë ta mbyllin kapitullin e keqpërdorimeve, korrupsionit sistematik, krimit të organizuar dhe transnacional. Këto po ndikojnë jashtëzakonisht keq në jetën e përditshme. Në të sotmen dhe të nesërmen tonë. Të fëmijëve tanë. Të gjeneratës së re dhe asaj të ardhshmes.

E tërë kjo do të jetë një prej sfidave më të mëdha shoqërore dhe institucionale në Kosovë. Tash dhe në vitet e ardhshme. Çrrënjosja e korrupsionit nënkupton edhe ndryshim i sjelljes shoqërore. Jo vetëm i reagimit institucional. Porse, pa reagim të fuqishëm institucional nuk mund të arrihet as ndryshimi i sjelljes shoqërore. Ky është binomi i veprimeve.

Ndërsa, luftimi i krimit të organizuar kërkon zhvillim shumë më të madh të kapaciteteve shtetërore. Bashkëpunim rajonal, po ashtu.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Trafikimin e Njerëzve, që u publikua ditë më parë, do të duhej të reflektohej me politika të qarta institucionale dhe veprime të fuqishme të mekanizmave të zbatimit të ligjit. Në të njëjtën kohë, ky Raport do të duhej të kthehej në një debat të gjerë publik, si një element i rëndësishëm për përballjen me këto dukuri tejet negative në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.