Behrami, pjesë e skuadrës së veçantë angleze
Valon Behrami është vetëm njëri prej futbollistëve të 22 nacionaliteteve të ndryshme që do të jenë pjesë e skuadrës së Watfordit në edicionin 2015-16. E përditshmja britanike “Daily Mirror” shkruan se ky numër i madh i futbollistëve me nacionalitete të ndryshme aspak nuk do të bëjë problem për trajnerin spanjoll Quique Sanchez Flores.
Për këtë garanci është përkujdesur Behrami, i cili ka shtuar se me gjithë shumë nacionalitetet, në ekip gjuha angleze mbetet dominante, shkruan sot Koha Ditore.
Tekniku spanjoll drejtimin e Watfordit e mori gjatë kësaj vere kurse transferoi hiç më pak se dhjetë futbollistë, në mesin e tyre edhe Behramin.
Sanchez Flores gjatë kësaj vere ka transferuar futbollistë nga Lituania, Zvicra, Holanda, Uruguai, Franca, Greqia, Spanja e Austria.
Ndërsa, në ekip ka lojtarë edhe nga Brazili, Kameruni, Italia, Suedia, Çekia, Anglia, Irlanda, Ekuadori, Irlanda e Veriut, Meksika, Nigeria, Greqia, Algjeria dhe Xhamajka. Pronari i klubit, Gino Pozzo është nga Italia.


