Ku ishte LDK’ja dje?
Nga Berat Buzhala – Qysh është e mundur që deputetët e LDK’së, asaj partisë së vjetër, që në SHBA do t’i thoshin Grand Old Party, në një betejë kaq të madhe, e kaq domethënëse, të palosen, si fishekët e martinës, sikur të ishin të zënë në faj për aktin që do ta bëjnë – votën për Tribunalin. Demek, njëri thumbit e tjetri patkoit; njëri mirë e tjetri keq; ti babën shpijun, ti dhunues; vëllai yt po shet zall, baba yt kumar me Milloshevicin.
Me një fjalë të gjithë u përfshinë në debat, qoftë ai edhe në formë të sharjeve banale. Përveç disave.
Qysh është e mundur që deputetet e LDK’së, asaj partisë së vjetër, që në SHBA do t’i thoshin Grand Old Party, në një betejë kaq të madhe, e kaq domethënëse, me u palu, si fishekët e martinës, sikur të ishte e zënë në faj për aktin që do ta bëjnë – votën për Tribunalin.
Pra, opozita gjatë gjithë kohës e argumentonte votën kundër. Shumë në rregull. PDK, në anën tjetër, pajtohej me opozitën se themelimi i Tribunalit është një padrejtësi e madhe, por po votojnë për themelimin e tij në mënyrë që Kosova të mos i dëmtojë raportet me bashkësinë ndërkombëtare. Ky është qëndrim banal, por megjithatë edhe ky mund të quhet qëndrim.
Në anën tjetër ne nuk e dimë saktësisht pse LDK është pro Tribunalit. Fjalimi i Isa Mustafës dukej sikur të ishte i shkruar nga Hashim Thaçi.
Pra, qysh nuk doli kërkush prej LDK’së të thotë se Tribunali duhet të themelohet për t’i zbardhur shumë krime që janë kryer edhe gjatë luftës, e edhe pas saj. Edhe ndaj zyrtarëve të kësaj partie, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë të vendit. Qysh nuk doli kërkush, ose qysh nuk e argumentoi kërkush nevojën e brendshme për të pasur një tribunal, me shpresën se do të sqaroheshin së paku disa krime.
Kjo parti është e destinuar për t’u shkatërruar, nëse në beteja kaq fundamentale e fut bishtin nën shalë..


