Fundamenti

Emërtimi i shumë rrugëve në Kosovë pa asnjë vlerë kombëtare apo historike

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ismet Rashiti – Emërtimi i rrugëve në mbarë Kosovën është bërë pa asnjë kriter, apo sipas dëshirës së secilit. Komisionet formale nëpër komuna ose kanë qenë jokompetente, ose janë korruptuar, ose janë frikësuar ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më profesionale. Kjo ka bërë që jo pak rrugë të mbajnë emra të njerëzve që nuk kanë asnjë meritë për këtë vend ose që nuk paraqesin asgjë tjetër përpos dëshirës së familjarëve apo grupeve të ndryshme politike.

Në këtë mënyrë është bërë një lëmsh i madh emrash, ku janë përzier emrat e kombëtarëve me emrat e antikombëtarëve, të luftëtarëve me ata të antiluftetarëve. Pastaj emrat e shkrimtarëve me emrat e pseudoshkrimtarëve, emrat e personaliteteve me vlera kulturore me ata të antivlerave. Për më keq janë barazuar emrat e heronjve që kanë vdekur në beteja e fronte luftërash me ata që kanë vdekur në fatkeqësi komunikacioni. Janë vendosur emra të atyre që kanë vepruar kundër lirisë si bashkëpunëtorë të Serbisë dhe që kanë marrë pjesë në hartimin e platformave politike të LKJ-së kundër Republikës së Kosovës. Në këtë krim të madh në emërtimin e rrugëve për inat të një lagje me lagjen tjetër janë vendosur emra që nuk kanë asnjë kuptim apo janë emra sllav, turk apo arab. Të mos flasim për emrat e rrugëve në komunat serbe, ku në zemër të Republikës së Kosovës janë radhitur tabela emrash me shkronja çirilike të kriminelëve serb, duke filluar nga hartuesit e elaborateve shfarosëse për shqiptarët si Vaso Çubiriloviqi, Ivo Andriçi, Qosiqi e deri te ekzekutori Sllobodan Millosheviqi. Kur t’i shtohen këtij lëmshi edhe gabimet e shumta gjuhësore, del se edhe në këtë drejtim dikush ka abuzuar deri në fund me historinë më re të Kosovës. Kështu ndodhë kur nuk ka pasur kritere të caktuara ligjore e shkencore. Kështu ndodhë kur heshtin intelektualët, historianët, gjuhëtarët. Kur heshtë Akademia e Shkencave, Instituti Albanologjik, Instituti Historisë…!

Hidromorava

Jam i sigurt se një ditë dikush duhet të jep llogari dhe gjërat duhet të vinë në vend, kur secila rrugë duhet ta mbaj emrin e atyre që e meritojnë dhe që vërtetë paraqesin vlera të mirëfillta kombëtare. Kështu siç është sot, është turp që emrat e patriotëve shqiptarët dhe emrat që vërtetë paraqesin vlera të mirëfillta shqiptare të qëndrojnë pranë atyre tabelave me emra që nuk kanë asnjë vlerë.

Në të vërtetë emrat e vendosur publik duhet të jenë personalitete që me veprën e tyre në shërbim të lirisë, shkencës, arsimit, kulturës dhe humanizmit janë shembull dhe mund të rrezatojnë frymëzim për brezat e ardhshëm.