Mobi Casa

Siguria Gjinore

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Ramadani – Duhet të ndërmerren hapa konkret dhe specifik në verifikimin e plotë të kompozicionit gjinor në nivelet e ushtrimit të përgjegjësive në kuadër të institucioneve të sigurisë, sikurse edhe në ngritjen e vëmendjes ndaj çështjeve gjinore të sigurisë.

Siguria humane, në përgjithësi, dhe siguria gjinore, në veçanti, duhet të jenë synimet kryesore të politikave të sigurisë në periudhën në vijim.

Një fushë e rëndësishme që duhet të përmirësohet është barazia gjinore në siguri, duke marrë për bazë plotësisht Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Duhet të ndërmerren hapa konkret dhe specifik në verifikimin e plotë të kompozicionit gjinor në nivelet e ushtrimit të përgjegjësive në kuadër të institucioneve të sigurisë, sikurse edhe në ngritjen e vëmendjes ndaj çështjeve gjinore të sigurisë. Për të pasur qëllim sigurinë gjinore, definitivisht duhet përcaktuar qëllim të qartë me objektiva konkrete për të zvogëluar fillimisht pasigurinë dhe dhunën e bazuar në gjini. Këtu duhet qartazi të përfshihen politikat, strategjinë dhe praktikat që kanë për synim sigurinë gjinore.

Kompletimi i arkitekturës kosovare të sigurisë është domosdoshmëri. Ndërmjet institucioneve ekzistuese, ashtu sikurse edhe institucioneve që duhet të formohen, ka nevojë për përmirësim të dukshëm të sistemit të komunikimit.

Sektori i sigurisë i Kosovës, në përgjithësi, është i ndërtuar mirë edhe si koncept, edhe si strukturë. Sidoqoftë, ekziston nevoja e qartë për të përfunduar arkitekturën e sigurisë, kryesisht bazuar në procesin e Reformës së Sektorit të Sigurisë.

Sfidat dhe kërcënimet e sigurisë nacionale të Kosovës janë të vazhdueshme dhe përbëhen nga elementet kryesore të çështjeve të sigurisë rajonale dhe globale. Qartësisht, specifikiat vendore dhe ballkanike janë, po ashtu, pjesë e rëndësishme përbërëse e këtyre sfidave dhe kërcënimeve.

Të grumbulluara në disa kategori, Kosova përballet me gjashtë lloje të ndryshme themelore të sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë:

UBT

Sfidat shoqërore dhe ekonomike të sigurisë, ku përfshihen edhe mirëqenia individuale, siguria humane dhe sfidat e vazhdueshme të marrëdhënieve ndër-etnike bazuar në politikat e caktuara sidomos nga Serbia;

Krimi i Organizuar dhe Transnacional vazhdon të jetë i pranishëm në rajon dhe rrjedhimisht edhe në Kosovë. Së fundmi, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Trafikimin e Qenieve Njerëzore edhe njëherë dëshmon për nivelin e lartë të krimit të organizuar transnacional;

Korrupsioni, përpos si veprim i jashtëligjshëm, është kthyer edhe në rrezikim të sigurisë humane e nacionale, kryesisht për shkak të korruptimit të vendimmarrjes, gjë e cila shkakton shumëzim të padrejtësisë dhe si e tillë pamundëson mirëqenien humane. Kjo e fundit, është elementi bazik i sigurisë nacionale.

Ekstremizmi i dhunshëm që çon në terrorizëm tashmë ka përmasa të avancuara të përhapjes në Kosovë dhe në rajon, si pasojë e të cilës idoelogji, indoktrinimi ka shkaktuar rritje të numrit të pjesëmarrësve nga rajoni në luftërat e huaja dhe organizatat terroriste.

Kontrolli i Armëve, armët e vogla dhe të lehta janë gjerësisht të shpërndara në duart e civilëve dhe kjo paraqet në vazhdimësi një sfidë dhe rrezik për sigurinë.

Konflikti politik/diplomatik me Serbinë, që vazhdon të jetë një sfidë për bashkëpunimin rajonal, integrimin e plotë të serbëve të Kosovës, sikurse edhe koordinimin institucional të sigurisë në përballje me sfidat dhe kërcënimet rajonale. Mungesa e njohjes normalisht se vazhdon të përballë rajonin me ndarje politike, realisht të dëmshme në periudhën e tashme.

Sidoqoftë, për të gjitha këto kategori sfidash dhe kërcënimesh, institucionet e Kosovës kanë nevojë për përmirësim të sistemit dhe kompletim të tij. Po ashtu, është e rëndësishme dhe bazike rritja e transparencës në procesin vendimmarrës si të tërë dhe kjo vetëm në produktin final.