Vrojtime: “Avokatët” e patriotizmit
Nga Ismet Rashiti – Në jetën shoqërore dhe politike shpeshherë hasim njerëz që mendojnë se vetëm ata janë atdhetarë të vërtetë. Ata flasin me ton të prerë, marrin pozat e mbrojtësve të kombit dhe çdo mendim tjetër që nuk përputhet me të tyren e quajnë mungesë atdhedashurie.
Më keq akoma, këta njerëz shpesh sillen si “avokatë” të së vërtetës absolute, duke përjashtuar këdo që nuk i përshtatet botëkuptimit të tyre. Atdhedashuria është ndjenjë e thellë dhe universale, por ajo nuk është e monopolizueshme.
Askush nuk ka të drejtë të vendosë një kriter të vetëm për të përcaktuar kush është atdhetar dhe kush jo. Njeriu mund ta dojë vendin e vet në mënyra të ndryshme: dikush përmes artit, dikush përmes dijes, dikush përmes punës së ndershme, e dikush tjetër përmes angazhimit politik apo aktivizmit.
Të gjithë këta janë forma të ligjshme dhe të vlefshme të shërbimit ndaj atdheut. Kur dikush merr rolin e “avokatit” të së vërtetës, duke gjykuar dhe etiketuar të tjerët, ai në të vërtetë cenon frymën e bashkëjetesës demokratike. Shoqëria nuk përparon me vetëkënaqësi dhe arrogancë morale, por me mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Historia ka treguar se shumë herë pikërisht ata që flasin më zëshëm në emër të atdheut, në prapavijë ndjekin interesa personale ose partiake. Një njeri i mençur dhe vërtet i përkushtuar ndaj vendit të vet nuk ka nevojë të thotë “unë jam atdhetar”, sepse veprat e tij flasin më shumë se fjalët.
Ai nuk denigron mendimin ndryshe, por e dëgjon dhe përpiqet të gjejë të përbashkëtën. Ai nuk gjykon me paragjykim, por ndihmon me drejtësi dhe dashuri. Në përfundim, duhet të ruhemi nga mendësia e vetë shpalljes si të vetmit atdhetarë.
Atdheu është shtëpia e përbashkët e të gjithëve, dhe secili ka një vend dhe rol për ta dashur e për ta ndihmuar. Të jesh atdhetar nuk do të thotë të ulësh të tjerët, por të ngresh veten dhe bashkë me të gjithë të tjerët – kombin tënd./rajonipress/

