Fundamenti

Hyrremja e Sulltan Sulejmanit, origjina, haremi e Hamami i Hyrës…

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Salih Kabashi – Sulltan Sulejmanin, turqisht Kanuni Sultan Süleyman, të njohur edhe si i Madhërishmi e Ligjvënësi, historia e tregon si sovranin i cili Perandorinë Osmane, mu në vrullin e Renesancës evropiane, e kishte ngritur në majat më të larta të famës e të lavdisë.

Sulltan Sulejmani 30 vjet të jetës së tij i kishte kaluar hipur mbi kalë sa gjatë zhvendosjeve sa gjatë fushatave të shumta zaptuese. Si gjithë sulltanët e mëparshëm, ashtu siç e kërkonte zakoni i kohës, edhe ai ishte i pajisur me një harem konkubinash e robinjash të ardhura nga vende të ndryshme të botës, kryesisht të krishtere. Ato kishin për roje vetëm e vetëm eunukë të zinj.

Më e lavdishmja e të gjitha pjesëtareve të haremit dhe e të gjithë kohës së ekzistencës së Perandorisë, pa dyshim se ka qenë Hyrremi, emër që shqiptarëve në të folurit e tyre iu ka ardhur i transformuar në Hyrreme, Hyrije, Hyrë…

Haseki Hyrremi njihet edhe për urdhrin e saj të shekullit XVI (1556) dhënë arkitekt Sinanit që ai të ngrinte një hamam madhështor me dy hyrje të veçanta, një për gratë, tjetra për burrat në vendin ku gjendeshin banjat e hershme bizantine. Ai hamam i gjatë e kënddrejtë gjendet afër Haseki Xhamisë, ndërmjet Aja Sofisë dhe Xhamisë së Sulltan Ahmetit. Është në funksion edhe sot e kësaj dite. Haseki përndryshe është titull që i jepet një të afërmi të sulltanit ose një femre, e cila i ka lindur atij një fëmijë.

Kush ishte Hyrremi, ajo femër topolake jo edhe aq e bukur, por që shitonte me të qeshurën e harenë e saj? Cila ishte ajo skllave tepër inteligjente që zuri një vend aq të pazakontë jo vetëm në zemrën e sovranit, por edhe në punët e Perandorisë?

Në literaturën perëndimore ajo njihet me emrin Roxelane. Por kjo nuk paraqet tjetër pos një deformim gjuhësor të emërtimit të saj sipas origjinës së saj rutene. Rutenia është vend me popullsi sllave, në Ukrainën e sotme, asokohe pjesë e Polonisë. Pasi mësoi leximin e shkrimin e Kuranit, ajo u kthye në fenë islame mori emrin Hyrreme që ka kuptimin e dikujt që i qesh fytyra. Ajo i ra në sy sulltanit dhe ai atë e quajti «mbretëreshë të të gjitha bukurive».

Nga aty e tutje ajo bëhet dashnorja e veçantë e kryesore e tij. Ajo i lindi atij katër djem dhe, diçka që paraqiste rast të jashtëzakonshëm dhe unik, ajo u bë skllavja e parë e krishterë grua legjitime e sulltanit. Ata pastaj kaluan një jetë plot dashuri që vetëm vdekja mundi ta ndërpriste.

Sulejmani, shefi i fuqishëm i luftës, legjislatori eminent e sovrani brilant, i dhjeti sulltan otoman me radhë, ai që ndikoi në rrjedhat e historisë duke e ngritur perandorinë e tij në majat më të larta të fuqisë e të lavdisë, nuk kishte hezituar që të ndërpriste traditat e deriatëhershme duke e marrë me dashuri për nuse një robëreshë të haremit, temperamente, intrigante e me ambicie të pakufishme.

Sa e fortë ishte ajo në intrigat e në lojën pas kuliseve në dobi të saj e të Sulltanit, tregon fundi i Ibrahim Pashës, vezirit të madh, i cili kishte qenë bir i një peshkatari modest grek. Ajo ngriti thashethemet në llogari të tij duke përforcuar dyshimet se ai edhe më tutje mbetej i krishterë. Më 1536 ai ra në hall dhe në fund u ekzekutua. Ndërsa bijën e saj arriti ta martonte me Rustem Pashanë, një çoban derrash, të cilin pastaj e ngriti deri në post kryeministri.

FIDANISHTJA

Kur më 1541 zjarri kishte shkatërruar Haremin që gjendej në zemër të qytetit në Eski Saraj (Pallati i Vjetër), Hyrremja ndjeu se po i vinte rasti që ta transferonte haremin dhe veten e saj jo vetëm në saraje të reja, por edhe më pranë sulltanit.

Sulltani po plakej e Hurremja po brengosej. I frikësohej ekzekutimit të bijve të saj pas vdekjes së tij, siç ishte zakon me të gjithë princërit, pos të atij që ishte caktuar të trashëgonte fronin. Prandaj ajo nisi intrigat e saj kundër vezirit të madh Mustafa, i lindur nga një favorite tjetër e sulltanit. Veziri i madh ishte një udhëheqës energjik lufte, dyzetvjeçar, shumë i popullarizuar në ushtri dhe i dashur nga i ati, i cili kishte arritur

famën e tij të lartë në fushatën kundër persianëve. Hyrremja e bindi Sulltanin që të ekzekutonte të birin e tij që e kishte me Mahidevran Gjylbeharin – Mustafanë, gjë që edhe ndodhi më 6 tetor 1553. Shpjegimi i Sulltaneshës Hyrreme që burri i saj ta bënte këtë ishte: «Sulejman! Ashtu siç ka në qiell vetëm një Zot edhe mbi tokë nuk duhet të ketë tjetër pos një Sulltan.»

Gruaja me aq ndikim në punë perandorake, Hyrremja e famshme, e prekur nga një e ftohur, ka dhënë shpirt më 18 prill 1558 ende pa i mbushur 60 vjet. Vdekja e saj pati pasoja te Sulltan Sulejmani, ato u vunë re në karakterin e tij. Ai dukej i trishtuar, i lodhur nga luftërat mes bijve të tij… Ai ngriti një mauzole për Hyrremen, edhe varri i tij është pranë të sajit. Ata siç jetuan bashkë, bashkë janë dhe nga 6 shtatori i 1566-s kur afër fortesës hungareze Szigetvar vdes Sulejmani i Madhërishëm. Pas vdekjes së Hyrremes e për të gjallë të Sulejmanit dy bijtë e sulltaneshës, edhe ata, Bajazidi e Selimi,

filluan grindjet për fronin e babait. Sulltan Sulejmani i kishte dhënë mbështetjen e tij Selimit, ndërsa Bajazidi pastaj kishte tentuar të ikte në Persi. Kapet dhe ekzekutohet me të katër bijtë e tij. I biri i Hyrremes nën emrin Selimi II, i mbiquajtur «Pijanec», pa pasur asgjë nga kualitetet e të atit kap fronin perandorak.

Edhe pak fjalë për Hyrremen e talentuar, të hareshme, ambicioze e intrigante. Ajo ishte poete, shkruese fantastike korrespondencash me Sulltanin derisa ai gjendej larg në fushata zaptimi si dhe letërkëmbime me diplomatë të huaj, venedikas, gjenovas, me Mbretin polak Sigismundi II apo edhe anëtarë të dinastisë sefevide të Perisë, etj. Nëna e djemve: Mehmedit, Abdullahut, Selimit, Bajazidit, Xhihangyrit dhe bijës Mehrimane që ka kuptimin «Diell e Hënë», ishte një bamirëse e mecene e shquar. Ajo financonte shkollat koranike (medrese), spitale, xhami, shatërvanë apo hamame e bujtina për të gjitha religjionet qoftë në Stamboll apo nëpër qendrat provinciale.

Në një shoqëri ku përkatësia etnike nuk çonte aq peshë, siç dëshmohet edhe me përkatësinë etnike të Hyrremes dhe ku merita qëndronte mbi origjinën edhe haremi funksiononte si instrument promovues social. Hyrremja i ra në sy sovranit, u shtruan në të njëjtin krevat dhe pas një konkurrence të ashpër doli fitimtare mbi të gjitha.

Nga vizita ime në Stamboll në fund të vitit të kaluar mësova se për Sulltaneshën Hyrreme ka shumë shkrime, piktura, romane dhe studime historike. Shqiptarëve ajo ua ka lënë në gojë shprehjen Hamam i Hyrës, kuptimi i së cilës ka dykuptimësi.

Ndërsa pos këtij ambiguiteti nuk është e qartë nga e ka motivimin shprehja-sharje shqipe: «Shko n’Hamom t’Hyrs!».

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.