Nga sot në Gjilan fillon “Java humanitare e filmit”
Gjilan – Qëllimi i këtij aktiviteti është Rikthimi i Kulturës së filmit, promovimi i filmit kombëtar dhe ndihma për familjet në nevojë.
Gjilani si qytet me traditë të gjatë, kohëve të fundit ka mungesë të dukshme të aktiviteteve kulturore. Me mosfunksionimit e Kinemasë, ky pasivitet vërehet edhe më tepër.
Për ta ngjallur kulturën e filmit dhe njëkohësisht meqë jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, t’i ndihmojmë familjet skamnore, do ta mbajmë Javën Humanitare të Filmit.
Java Humanitare e Filmit do të mbahet në datat 12-15 Korrik, përkatësisht nga dita e Diel më 12 Korrik, deri të Mërkurën më 15 Korrik, ku çdo natë nga ora 21:30 në hapësirën afër rrethit, në qendër të qytetit, në ambient të hapur, do të bëhet shfaqja e filmave shqip, filma të rinj të cilët kanë fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare.
Për ta bërë humanitare këtë eveniment, paratë e grumbulluara nga hyrja e cila do të kushtojë 0.50 €, në natën e Bajramit, do t’i blehen produkte bazike ushqimore për familjet që kanë nevojë, në mënyrë që edhe ata t’i gëzohen Bajramit.
Java Humanitare e Filmit organizohet nga Qendra e Aktivizimit të Rinisë (Youth Activism Center – YAC) në bashkëpunim me Njësinë për Kulturë, Rini dhe Sport (NjKRS) në kuadër të Ditëve të Diasporës./rajonipress/


