Komuna me donatorët vë gurëthemelin për shtëpinë e dhjetë për familjet në nevojë
Gjilan – Në vazhdën e ndërtimit të shtëpive për familjet në nevojë, në Gjilan është vënë sot gurëthemeli i shtëpisë edhe për familjen gjashtë anëtarëshe të Fatmir Jusufit, në lagjen “Poredin” të “Dheut të Bardhë”, e cila po ndërtohet nga donatori Lulzim Bajrami.
Kjo është shtëpia e dhjetë që është duke u ndërtuar prej kur me iniciativë të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri u mbajt mbrëmja humanitare “Pak nga ne shumë për ata” në tetorin e vitit të kaluar, ku u lajmëruan shumë donatorë.
Kryetari Haziri ka falënderuar donatorin Lulzim Bajrami për humanizmin e treguar, ndërsa e ka vlerësuar tejet të suksesshëm iniciativën e Komunës për ndihmë skamnorëve, të cilës iu përgjigjën pozitivisht njerëzit e vullnetit të mirë nga Gjilani, Kosova si dhe mërgimtarët tanë.
Haziri ka apeluar tek të gjithë ata që premtuan që t’i bëjnë ato realitet, ndërsa ka paralajmëruar se edhe sivjet Komuna e Gjilanit do ta organizoj mbrëmjen humanitare “Pak nga ne shumë për ata 2” në mënyrë që asnjë familje të mos vuaj nga mungesa e strehimit dhe banimit./rajonipress/


