ARKATANA

U përuruan dy vepra letrare të Shefik Arifit, krijues nga Breznica

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në Sallën e Bibliotekës “Fan S. Noli” për fëmijë, në Gjilan, sot u bë përurimi i dy veprave poetike të Shefik Arifit, krijues nga Breznica. Në këtë përurim libri, morën pjesë shumë familjarë, krijues e dashamirë të librit. Fillimisht, Xhuli Spahiu, krijuese gjilanase tha se, sot kemi rastin t’i përurojmë dy vepra letrare të Shafik Arifit, të cilat dëshmojnë përkushtimin e denjtë të autorit për të prezantuar artin e tij letrar para lexuesve.

“Ky përurim i dy veprave poetike të autorit në fjalë, shënon një eveniment të rëndësishëm jo vetëm për ne, por edhe për lexuesit e gjerë të kësaj ane të Anamoravë e më gjerë. Shefki Arifi, me këto dy vepra po dëshmon se i ka hyrë me përkushtim një rruge shumë të çmuar, pra rrugës së artit letrar. Sot kemi rastin ta ndjejmë këtë art të tij nëpërmjet deklamimeve të disa poezive nga veprat e autorit”.

Ramadan Dërmaku, profesor, tha se, me këto dy vepra, Shefik Arifi e ka rrëfyer krejt jetën e tij me anë të poezisë. “Nuk ka “send” që poeti nuk i ka prekur pa i shënuar problemet apo hallet e jetës së tij me artin e shkrimit. Ka shkruar për të kaluarën e tij, por edhe për të kaluarën e prindërve, fshatit, vendlindjes, atdheut e tema të tjera. Uroj që sot ky eveniment kulturor të jetë shembulli më i mirë se si përurohet libri në këtë vend ku lexohet dhe adhurohet thesari i dijes”.

Tefik Selimi, recensent i dy librave të autorit në fjalë tha se, rrallë ngjanë që në një moment të këtillë, siç është ky sot, të përurohen dy vepra. “Do të mundohem me pak fjalë ta përmbledhë këtë shënimin tim, i cili bën fjalë për dy veprat e Sh. Arifit, autori breznicas, i cili, sot po na gëzon me këtë organizim kulturor. Siç dihet, të gjithë krijuesit që vijnë nga diaspora, gjuha e tyre poetike është jeta e tyre në mërgim. Ky poet ka talent. Shih për këtë, kësaj here, veprat e tij “Dallgët e jetës” dhe “Lotët e mallit” “rrëfejnë” dhimbje, lot, ëndrra e përsiatje të tjera, të cilat e ngërthejnë në vete triomin poetik të autorit: jeta në mërgim, vuajtja ose malli për vendlindje dhe relaksimi shpirtëror –
poezia.

Eco Higjiena

Në përgjithësi, tek poezia e këtij krijuesi vërehet qartë dashuria ndaj atdheut, vendlindjes, të afërmëve etj. Ka edhe poezi me tema më të ndryshme, të cilat, lexuesi e gjen vetën duke i lexuar dhe vlerësuar ato. Sidoqoftë, këto dy vepra kanë vlera të duhura letrare e artistike”.

Nazim Shurdhani, profesor i gjuhës tha se, këto dy libra janë si sihariq për të gjithë lexuesit. “Vëllimi me poezi “Dallgët e jetës”, është një vepër simbolike, që na rrëfen brengat tona, pra e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. “Veprat e autori Shefik Arifit i kam pasur në duar dhe i kam lexuar. Ato janë vëllime poetike që shënojnë përpjekjen e autorit për të shkruar dhe për të hapëruar drejt kësaj rruge artistike. Pos shumë vlerave artistike, tek këto dy vepra shoh se ka pak qalim, sidomos në ndarjen e cikleve të veprës. Është dashur të jetë një redaktor apo një “staf” që do të duhej ta qëndiste edhe më mirë siç e vlen të jetë vepra letrare. Këtu jemi takuar me një poet më të veçantë sepse,është poet të ri që premton në të ardhmen. Ky poet, për një kohë të shkurtër na ka dhuruar dy vepra letrare artistike.

Pra, dy vëllimeve me poezi të autorit nuk janë të ndara në cikle. Për lexuesin është pak e vështirë. Po të ishte një “ekspert”, veprat do të kishin vlera më të mira. Këto dy vëllimet poetike kanë simbolika të njëjta. Edh autorja Sadete Emërllahu, tash se ndjerë, nga Preshevas, ka të njëjtin titull të veprës: “Dallgët e jetës”, por vepra e autori është krejt tjetër. Poeti duke qenë vetë mërgimtar, ai këto përvuajtje i ka përshkruar dhe i ka qitur në letër. Poezia e Sh. Arifit përpuqet me disa nga shkrimtarë tanë romantikë. Ka gjasim me poezinë e Zef Seremes, por edhe me poetë të tjerë, si të Migjenit, F. Shirokës e autorë të tjerë. Autori i ka kushtuar vargje Korçës, Beratit, Prizrenit e qyteteve të tjera shqiptare. Autori duhet ta përsos gjuhën poetike e artistike. Sidoqoftë, veprat në fjalë ia vlejnë të lexohen e të vlerësohen. Kjo poezi është e artikulimit njerëzor.

E, autori Shefik Arifi, krijues, në fund tha se, sot jam shumë i nderuar nga të gjithë. “Nuk e kam besuar se ky eveniment kulturor do të jetë kështu. E kam pak si vështirë të shtoj më tepër se parafolësit e mi, të cilët, me vështrimet e tyre, e kanë“ngjallur” këtë përurim libri. Unë poezinë e kam dashur nga vegjëlia ime. Atë kohë kam recituar, por më vonë hyra në botën e artit dhe nuk mundja të dali dot. Kështu, varg pas vargu, fillova dhe krijova këto dy vepra. Më duket se jam pak më i shliruar në shpirt. Kështu është jeta, ajo të shtie ta duash, por edhe ta urresh kur ka brenga dhe halle jete. Të gjitha këto “sende” i kam përshkruar në dy veprat e mia poetike. Ju faleminderit të gjithëve!/tefik selimi/rajonipress/