Një shtet që të vret
Nga Imer Mushkolaj – Astrit Dehari ishte në duar të shtetit kur vdiq. Në duar të shtetit, pushtetin e të cilit e kundërshoi. Dhe kundërshtimin e të cilit e pagoi me jetë. Autoritetet duhet të japin përgjegjësi për tragjedinë, pavarësisht si ka ndodhur ajo. Na duhet e vërteta e plotë, jo e mjegulluar.
Burgjet janë vendet më të sigurta në secilin shtet. Aty mbahen të dyshuar e të dënuar për vepra të ndryshme, janë në mbrojtje të shtetit dhe çfarëdo që ndodh me ta, përgjegjës është shteti. Ashtu siç është përgjegjës edhe për vdekjen e Astrit Deharit, më 5 nëntor.
Astriti, bashkë me pesë aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes u arrestua si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Atij iu zgjat paraburgimi, pa iu ngritur aktakuzë dhe pa mundur të dalë i gjallë nga qendra e paraburgimit në Prizrenit. Astriti vdiq në duar të shtetit dhe shteti ka përgjegjësi për vdekjen e tij.
Jo për vrasje e vetëvrasje, por edhe për vdekje natyrore që ndodhin në burgje, përgjegjës është shteti. Dhe duhet të jep përgjigje. Në rastin e Astritit, kjo është shumë më komplekse.
Kontradiktat nisën që kur shefi rajonal i Policisë tha se ai kishte vdekur nga konsumimi i disa barnave, e më pas kryeprokurori rajonal deklaroi se vdekja ishte shkaktuar nga asfiksia. Ndërkohë, zyrtarë të Vetëvendosjes shfaqën dyshimet se Astritin e kishin vrarë. Situata u mjegullua edhe më shumë kur mediat publikuan video të kamerave të sigurisë nga qendra e paraburgimit në Prizren, që vetëm sa shtuan shqetësimet e mosbesimin për misterin e vdekjes së Astritit. Aq më tepër kur u vërtetua se manipulimi i incizimeve të kamerave ishte fare i lehtë. Dhe, përderisa organet përgjegjëse nuk japin ende rezultate konkrete të hetimeve, agonia vazhdon. Bashkë me të edhe dhimbja e terrorizimi për familjarët dhe të afërmit e Astritit.
* * *
Në çdo vend normal një vdekje si kjo e Astritit do të duhej të përcillej me dhënie përgjegjësie morale dhe penale. Për një vdekje si kjo e Astritit, me konotacion të theksuar politik, hetimet do të duhej të bëheshin me shumë kujdes. Për një vdekje, si kjo e Astritit, do të duhej hetim i pavarur e profesional.
Por, mosbesimi ndaj institucioneve të drejtësisë është aq i thellë, sa që vëshirë se çfarëdo rezultati mund t’i qetësojë shpirtrat e trazuar – në radhë të parë të familjarëve të tij.
Sepse, si mund t’iu besohet institucioneve që në një fazë të hershme të hetimeve në vend që të qartësojnë rrethanat e rastit, i mjegullojnë më tepër ato? Si mund t’iu besohet institucioneve, në krye të të cilave gjenden njerëz si kryepolici e kryeprokurori rajonal i Prizrenit? Si mund t’iu besohet institucioneve që shfaqin në media pjesë të rëndësishme të provave, ndërkohë që ishte thënë se ende nuk ka përfunduar ekzaminimi i tyre?
Në vend që organet përgjegjëse të bëjnë punë profesionale dhe të japin sa më shpejt përgjigje në shumë dilema të ngritura në publik, konfuzioni, frustrimi e dyshimet vetëm sa shtohen.
Astrit Dehari është viktimë e sistemit shtetëror, të ndërtuar mbrapsht gjatë gjithë viteve të pasluftës. Ai është viktimë e sistemit që mbjell frikë e pasiguri, sistemit që ka krijuar një drejtësi selektive e mosbesuese, sistemit që nuk e di ç’është përgjegjësia.
* * *
Po që se shteti e ka seriozisht zbardhjen e rastit tragjik të Astritit, pse ka nevojë të provojë për të na bindur me publikim videosh për të vërtetën? Loja me video e ditarë është një lojë e ndyrë, e cila e thellon edhe më shumë mosbesimin karshi drejtësisë.
Rasti i Astritit na tregon se në këtë shtet askush nuk është i sigurt. Na tregon se mund të arrestohet secili prej nesh dhe të përfundojë i vdekur në një dhomë burgu. Na tregon se sa i frikshëm është ky sistem, që vazhdimisht me metoda të ndryshme provon të mbjell frikë e pasiguri. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbijetojë.
Për rastin e Astritit deri tash do të duhej të ishin ofruar një varg dorëheqjesh morale. Pastaj hetimet do të zbardhnin përgjegjësinë penale. Autoritetet duhet të japin përgjegjësi për tragjedinë, pavarësisht si ka ndodhur ajo. Të gjithëve na duhet e vërteta e plotë, jo e mjegulluar. Sepse, Astriti është vrarë nga shteti. Është viktimë e shtetit. Ai ishte në duar të shtetit kur vdiq. Në duar të shtetit, pushtetin e të cilit e kundërshoi. Dhe kundërshtimin e të cilit e pagoi me jetë.


