Eko Higjiena

Presidentja e botës së lirë

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Arbana Xharra – Më 8 nëntor nuk zgjidhet vetëm presidenti i SHBA-ve, por edhe më tepër: këtë ditë do të rizgjidhet lideri i radhës i “Botës së Lirë”. Një pjesë e amerikanëve e percepton këtë fakt, të jesh qytetar i një vendi të tillë si barrë e përgjegjësi të madhe, pra disi të padrejtë e tjetra palë ndihet më se krenare për këtë rol.

Plot prej tyre si gjithandej duan ndryshim radikal; janë të zhgënjyer me sistemin, premtimet dhe masa e tyre që janë bindur tashmë se politikanët nuk i përfaqësojnë aspak, duket të jetë më e madhja.

Edhe në Amerikë po përballen me të njëjtat atmosfera si gjatë votimit të Brexit-it në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë njerëz as që ngurrojnë të manifestojnë simpatinë e tyre për grupet ekstreme të së djathtës, të së majtës, por edhe më keq.

Edhe gjatë kësaj zgjedhjeje shihet: vota amerikane tërmeton, elektrizon të gjitha pjesët dhe vendet e globit.

Ajo që e ka bërë Amerikën aq të veçantë ka qenë fuqia për të frymëzuar dhe mundësia për të vepruar. Kjo e ka bërë Amerikën kjo që është. Sepse, ekonomi të forta, territore dhe ushtri të mëdha kanë edhe Kina, Rusia, India…

Por nuk ka ëndërr ruse apo kineze, ka ëndërr amerikane.

Më 8 nëntor, pikërisht kjo ëndërr duket të jetë në votim e sipër. Plot amerikanë kam takuar që kanë shqetësimet e tyre me sekretaren Clinton.

Eco Higjiena

Mirëpo “mëkatet” e znj. Clinton të një politikaneje që ka qëndruar në skenë 30 vjet, nuk krahasohen me pasojat që do t’i prodhonte një president si Trump.

Sigurisht, Amerika ka ndarje të pushteteve ku një president, sado i fuqishëm, është i kufizuar në veprim nga ana e Kongresit. Kështu duan ta provojnë rrezikun jo pak amerikanë. Me këtë vetarsyetim. Ne nga jashtë, ndërsa i njohim profilet e tilla, të paparashikueshme dhe të mbushura plot paragjykime e dimë se ç’ krime mund të shkaktojnë. Dosido se po u zgjodh Trump president nuk do të mundë të bëjë gjithë atë që e ka thënë gjatë fushatës, mirëpo ne që i dimë plagët, të cilat i shkakton fuqia e fjalës e dimë sesi do të ndihet emigranti, si do të ndihen gratë, myslimanët dhe gjithë “jo të bardhët” e “jo të krishterët” tjerë po që se në vend të Obamas vjen Trump.

Pra, askush më mirë se ne në Ballkan nuk e ka provuar se retorikat e llojit Trump janë arma e çdo destabilizimi. Në anën tjetër, jashtë shqetësimeve amerikane, për ne si shqiptarë, zgjidhja është shumë e qartë. Ndonëse ne kemi gëzuar përkrahje të parezervë edhe të demokratëve, edhe të republikanëve përgjatë tërë procesit, zgjidhja në këtë rast nuk është thjesht një garë mes republikanëve dhe demokratëve, është determinim i proceseve tona në rrafshin gjeopolitik.
Flirtimi i hapur i kandidatit Trump me Rusinë është shqetësues jo vetëm për Kosovën, por për tërë Aleancën Euroatlantike. Deklarimet e rrezikshme të kandidatit Trump për të ardhmen e NATO-s janë jo vetëm shqetësuese, por edhe shumë të rrezikshme. Një aleancë që u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të vlerave universale rrezikon të shndërrohet në një forcë mercenare.

Paramendojeni vitin 1999 kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë nën lidershipin amerikan, kandidati Trump do të kishte kërkuar para, buxhet për ndërhyrje. Trump ka deklaruar më shumë se një herë që shtetet duhet të paguajnë për mbrojtje nga Amerika, ndonëse akti themeltar i NATO-s e përcakton shumë qartë që sulmi në një shtet të NATO-s është sulm në tërë NATO-n. Nëse fiton Trump, përcaktimi amerikan për një Evropë të tërë në paqe e të lirë që është definuar qysh nga George Bush i I në 1989 vihet në rrezik të madh. Rrezikohet keq doktrina mbi të cilën është ndërtuar politika e jashtme amerikane në tri dekadat e fundit në raport me Evropën.

Po ashtu, kandidati Trump ka qenë përkrahës i Brexit-it dhe është mbështetës i lëvizjeve në Evropë që janë kundër Bashkimit Evropian, linjë kjo që e bën binjak mental me Putinin. Shkatërrimi i BE-së dhe NATO-s është interes gjeostrategjik i Rusisë. E Ballkani e di shumë mirë se çka pason në rast se mungon platforma e integrimit në BE dhe në NATO.
Në rrafshin shumë më të ngushtë, Hillary Clinton në vizitën e saj të fundit në Kosovë, më 21 tetor 2012, tha:
“Unë besoj në të ardhmen e Kosovës dhe SHBA-ja është thellësisht e përkushtuar në suksesin tuaj. Për mua, familjen time dhe shumë amerikanë, kjo nuk është vetëm çështje e politikës së jashtme, për mua është thellësisht personale”.
Çfarë fati kemi si Kosovë që në Shtëpi të Bardhë nuk jemi thjesht çështje e politikës së jashtme, një shtet i vogël i sapokrijuar, i kontestuar të jetë jo vetëm me prioritet në agjendën e politikës së jashtme, siç e thotë edhe vetë Hillary Clinton, është madje edhe çështje personale e saj.

Andaj mendojmë e besojmë që për shqiptarët në Amerikë alternativa është shumë e qartë. Kandidatja Clinton, jo vetëm se është më e mirë për shqiptaro-amerikanët si shtetas të Amerikës, por mbi të gjitha është opsioni i vetëm i sigurt joaventuresk për shqiptarët në Ballkan. Komuniteti shqiptaro-amerikan që ka dhënë aq shumë për lirinë e Kosovës, nuk do të duhej të hynte në aventura të cilat do të mund ta çonin poshtë tërë atë mund, atë djersë, para dhe gjak që kanë dhënë për lirinë tonë. Vota e shqiptarëve brenda 324 milionë amerikanëve mund të duket jodeterminuese, por për të ardhmen tonë mund të jetë vendimtare. Është e qartë që Trump edhe nëse zgjidhet nuk do ta tërheqë njohjen e Kosovës, por ajo çfarë shqiptarëve u duhet është mbështetja për integrim në NATO dhe në BE. Me Trump kjo platformë do të ishte në pikëpyetje. Me Hillary-n kjo nuk vihet në pikëpyetje. Kur e kanë pyetur Hillary-n kush është politikani juaj i preferuar, ajo ka thënë, “Merkel”, kurse Trump ka folur me admirim për diktatorët globalë.