Eko Higjiena

Unifikues n’Malishevë

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Është veç një lajthitje të mendosh se Hashim Thaçi ka hequr dorë nga partia, nga kontrolli i saj. Ai nuk përfaqëson unitetin e popullit, sepse shkel kushtetutën, teksa viziton struktura të PDK’së. Ai është president i inatit, jo i unitetit. Ai përçan, nuk bashkon. Mund të jetë unifikues veç në Malishevë – që të mbledh rreth sofrës militantë të PDK’së për të ngrënë mish e për të pirë verë.

Në mbrëmje ha mish e pi verë në Bubël të Malishevës me njerëz të Degës së PDK’së, e në mëngjes i fton partitë politike në takim për të diskutuar rreth reformës zgjedhore. Ky është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili, në bazë të kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit. Një veprim që i përshtatet tamam njeriut që mund të jetë çfarëdoqoftë tjetër, veç jo unifikues.

Ftesës së tij nuk iu përgjigj asnjë nga subjektet politike opozitare, e në takim u panë Isa Mustafa, Enver Hoxhaj e ndonjëri nga përfaqësuesit e partive satelite të PDK’së.

Hashim Thaçit i bie ndërmend të bisedojë për reformën zgjedhore në kohën kur në agjendë është mbajtja e zgjedhjeve. Për reformën ka pasur shumë më shumë kohë derisa ai ishte në krye të PDK’së e të Qeverisë, por se atëherë ky proces zvarritej me qëllim.

Sa ishte në krye të PDK’së dhe kur partia e tij shquhej për vjedhje industriale të votave, atij nuk i interesonte fort reforma zgjedhore. Po të ishte ndryshe, ai në postin e presidentit do të duhej të vinte me votat e qytetarëve, e jo si rezultat i kontrabandimit të votave të deputetëve, në shkëmbim të posteve të ambasadorëve e terminaleve doganore.

Hashim Thaçi bisedon për reformën zgjedhore dy ditë pasi që darkon me strukturat e PDK’së në Malishevë. Kjo tregon shumë për karakterin e tij, për për respektimin e kushetutës nga ai. Kjo tregon se ai nuk ka hequr dorë nga strukturat e PDK’së, pavarësisht se partia tash ka tjetër kryetar. Kjo tregon se Thaçi nuk ka dalë nga gëzhoja e partisë, në postin e të partit të shtetit është kontrabanduar dhe asnjëherë nuk do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Siç nuk e ka bërë një gjë të tillë as kur ka qenë në krye të Qeverisë, duke funksionuar në mënyrë klienteliste dhe me favore për anëtarët e partisë së tij.

Hashim Thaçi nuk po mundet, madje, as formalisht të tregohet unifikues, siç do të duhej të ishte. Ai vazhdimisht ka zgjedhur fjalët më të rënda për një pjesë të opozitës, sidomos kur bëhet fjalë për demarkacionin me Malin e Zi. Ai është shfaqur çfarë në të vërtetë është – përçarës, e jo bashkues.

ARKATANA

* * *

Hashim Thaçi në Malishevë takoi Isni Kilajn, udhëheqës lokal i PDK’së, por edhe zëvendësministër i Financave, njeriu i cili publikisht ka deklaruar se nuk kryen asnjë punë të hajrit në ministrinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti. Kilaj ka thënë se nuk komunikon normalisht me të dhe se vetëm rri e vëzhgon – një kukull e dërguar në atë post nga partia. Madje, ai është shfaqur një ndër kundërshtarët e zjarrtë të projektbuxhetit të vitit 2017 dhe në vazhdimësi e ka kritikuar shefin e tij, duke thënë se nuk i jep llogari atij, por partisë.

Brenda PDK’së zhvillohet një betejë e heshtur ndërmjet Thaçit e Kadri Veselit për kontrollimin e strukturave partiake. Është veç një lajthitje të mendosh se presidenti ka hequr dorë nga partia, nga kontrolli i saj.

Andaj, kur e shihni teska flet si president, mos i besoni. Ai nuk ka lidhje me atë pozitë, me përgjegjësitë që duhet t’i ketë. Ai është imponuar në atë post, andaj nuk e ka fort dert të sillet e të veprojë si i pari i shtetit. Ai është president i inatit, e jo i unitetit. Është president i Isni Kilajt dhe isnikilajve të tjerë.

Një president normal nuk do të duhej takuar struktura të asnjë partie, aq më pak para një takimi si ai për reformën zgjedhore në të cilin do të duhej të merrnin pjesë të gjitha subjektet politike. Një president normal do të duhej tejkaluar mendësinë provinciale të funksionimit. Por, Thaçi nuk është i tillë. Provincial ka qenë dhe provincial ka mbetur.

* * *
Me këtë logjikë, Hashim Thaçi mund të jetë unifikues veç në Malishevë – t’i mbledh rreth sofrës militantët e PDK’së për të ngrënë mish e për të pirë verë. Por, jo edhe në tryezën e partive politike në Prishtinë. Ai me siguri do të vazhdojë të bojkotohet nga opozita, sidomos kur bëhet fjalë për takime si ky i së premtes.

Thaçi do të duhej t’i ftojë partitë politike për të gjetur një zgjidhje që i jep fund krizës politike. Këtë e ka obligim kushtetues. Çdo tentim për të zvarritur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme – qoftë edhe duke provuar ta rikthejë në agjendë reformën zgjedhore – është i dëmshëm.