Eko Higjiena

U përurua monografia “Breznica në rrjedhë kohe” e autorit Avni Behluli

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Para shumë bashkëqytetarëve, kolegëve e të tjerë, sot në sallën e Teatrit të Gjilanit u promovua monografia “Breznica në rrjedhë kohe” të autorit Avni Behlulit, piktor. Ishte ky një promovim mjaft i suksesshëm, për faktin se, aty erdhën jo vetëm familjarë, bashkëvendës e kolegë, por aty në promovim prezantuan edhe intelektualë të fushave të ndryshme të jetës.

Fillimisht për veprën e Avni Behlulit “Brezninca në rrjedhë kohe” foli Dali Emërllahu, recensent, i cili është ndalur tek mënyra e qasjes së hartimit të monografisë në fjalë.

Ai tha se, “Avni Behluli na doli kësaj here me një vepër monografi të plotë, e cila në vete na sjellë materje të bollshme sa i përket një dokumentari. Aty flitet për historinë e këtij fshati, por autori nuk lë anash edhe pjesët tjera të jetës së qytetarit të këtij lokaliteti.
Siç dihet, autori ka grumbulluar mjaft materie për një monografi të këtij fshati. Me fjalë të tjera, autori nuk ka lënë pjesë të jetës së fshatarit pa i përmendur. Edhe këto janë fakte dhe me ato sende është marrë fshatari i këtij lokaliteti. Në veprën e Avni Behlulit ka histori, toponimi, heronj, por ka edhe figura njerëzish e dokumente të tjera me rëndësi, të cilat, veprës në fjalë ia rrisin vlerën në përgjithësi. Unë konsideroj se, Avni Behluli ka bërë një vepër që duhet lakmuar, ndonëse ai është me profesion krejtësisht tjetër. Kjo është vlera jo vetëm e autorit, por edhe e veprës së tij. Pra, autori na ka sjellë shumë shënime për kohën e kaluar të popullatës së kësaj ane, e cila, sikur në mese të tjera, edhe këtu ka pësuar nga okupuesit. Breznica, si lokalitet, ka ngjarje që e kanë lidhur me të kaluarën mjaft të rëndë, por e ka lidhur dhe me kohën sot, e cila është për të lakmuar”.

Sulejman Dërmaku, redaktor tha se, Avni Behluli, ndonëse është i një fushe krejtësisht tjetër, pra artist i artit pamor, ai kësaj here e ka befasuar lexuesin me veprën e tij kushtuar vendlindjes së tij, Breznicës. “Është një shembull i rrallë i krijuesve tanë, sepse, pak-kush bëjnë të tilla vepra si autori në fjalë. Ky libër është një gur themeltar që flet për të gjitha “sendet” e një lokaliteti, siç është Breznica, vendlindja e autorit. Nuk është patriotizëm vetëm të jesh në vijën e frontit të luftës, por patriotizëm është edhe kur njeriu ia lë një dokumentar vendlindjes apo dikujt tjetër. Kjo vepër mbetet një vlerë e rëndësishme që do të trashëgohet dhe do të vlerësohet nga të gjithë. Prandaj, jeta pa sakrifica të tilla, nuk ia vlen. Ia vlen angazhimi me prurje të tilla dokumentare”.

Mobi Casa

Shefik Shkodra, referues tha se, vepra e Avni Behlulit “Breznica në rrjedhë kohe” është një vepër dokumentare me shumë vlera. “Autori i kësaj monografie nuk është i panjohur për lexuesin jo vetëm në komunën tonë, por edhe më gjerë. Tash, me këtë dokumentar, autorin e veprës do ta njohim me tepër, për faktin se, e vështirë është puna kur punon dhe nuk je i fushës së studimore.

Avni Behluli, piktor, kësaj here, me veprën në fjalë, ia ka dalë kësaj pune me shumë sukses. Vepra “Breznca…”, A. Behlulit na sjellë mjaft risi, sepse na sjellë materie nga shumë fusha të jetës së qytetarit tonë. Nga tash, brezat e ardhshëm do të kenë rastin ta njohin të kaluarën e gjithëmbarshme të këtij lokaliteti, Breznicën, e cila, si shumë fshatra të tjera, ka pësuar mjaft në një kohë të hershme.
Sidoqoftë, autori ia ka arritur ta rrumbullakësojë një vepër voluminoze, në të cilën ka materie nga toponimia, linguistika dhe fusha të tjera të dijes. Këtu janë disa faqe skicash që flasin për gjenezën e familjeve të këtij lokaliteti, por ka edhe foto dhe harta. Me fjalë të tjera, autori e ka dhënë një provim të vështirë në botimin e kësaj vepre dokumentare, e cila ke vlera të shumëfishta historike e dokumentare”.

Në fund, autori, Avni Bheluli tha se, e kam pak më vështirë të flas për veprën time, sepse, gjer tek kjo “punë” është dashur jo vetëm mundi, por edhe takime të shumta me qytetarët e këtij lokaliteti. “Shihni, unë e kam ndjerë një obligim moral që vendlindjes sime, Breznicës t’ia lë një vepër të këtillë dokumentare, sepse e meritojnë jo vetëm njerëzit e këtij lokaliteti, por e meriton edhe ky vendbanim që ka një lashtësi dhe një histori të bujshme, sa të dhimbshme, por aq edhe krenare. Është dashur më shumë të flitet për Lam Breznicën, një figurë e dalluar e kombit. Por, ka edhe figura të tjera, të cilat, në këtë vepër nuk kanë gjetur vend aq sa meritojnë. Me një fjalë, u mundova të lë gjurmë të kësaj treve që ka shumë fusha të pa studiuara. Ju faleminderit të gjithëve!”/tefik selimi/rajonipress/