UBT

Gjyqtarët e prokurorët shkelës nuk mund të strehohen në avokati

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Njohës të sistemit juridik kosovar theksojnë se, përveç anës materiale, avokatisë po i turren edhe emra të dyshuar për abuzim me ligjin, të cilët assesi nuk mund t’i shmangen llogaridhënies.

TRANSFORMIMI I ZYRTARËVE TË DREJTËSISË, TË DYSHUAR PËR AFERA

Njohës të sistemit juridik kosovar theksojnë se, përveç anës materiale, avokatisë po i turren edhe emra të dyshuar për abuzim me ligjin, të cilët assesi nuk mund t’i shmangen llogaridhënies

Ligjit askush nuk mund t’i shmanget, por duhet të japë përgjegjësi

Kalimi i një pjese të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e tyre në atë të avokatisë, nuk mund t’i amnistojë assesi ata që dyshohet se kanë bërë shkelje, nga përgjegjësia eventuale dhe kësisoj t’i shpëtojnë ndëshkimit, ngase pavarësisht cilësisë apo profesionit që ushtron, të gjithë personat duhet të japin përgjegjësi për veprimet e kundërligjshme pranë organeve kompetente. Kështu kanë vlerësuar njohësit dhe specialistët e kësaj fushe, të cilët po ashtu kanë vërtetuar se Gjyqësori e Prokuroria nuk do të dobësoheshin në rast se në mesin e tyre do të bëhej filtrimi i shkelësve të ligjit, pasi kjo vetëm se do ta forconte edhe më shumë sistemin e drejtësisë, e njëkohësisht edhe do ta rriste besimin e qytetarëve se në Kosovë sundon vetëm ligji. Ndaj është shtruar edhe pyetja se a mund të dobësohet Gjyqësori dhe Prokuroria për shkak se kuadrot e tyre në ikje nga përgjegjësia eventuale gjatë vettingut dhe riemërimeve që mund të vijnë shpejt po kalojnë dita -ditës në avokati, njëri prej profesioneve më fitimprurëse në vend? Avokati Skender Musa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sa u përket reformave që mund të ndodhin në Kosovë, të njëjtat, sipas tij, nuk mund të kenë ndikim negativ në avokati, për shkak, siç tha, se Ligji mbi avokatinë në mënyrë të detajuar e sqaron se kush mund ta ushtrojë profesionin e avokatit, derisa konform kësaj ligji në fjalë, si dhe rregulloret e brendshme të Odës së Avokatëve, parashohin se asnjë person, përfshirë këtu shtetasit e Kosovës, por edhe ata të vendeve të BE-së dhe SHBA-së, që ndaj tyre është ngritur aktakuzë apo është marrë ndonjë vendim nga gjykatat e rregullta të vendit për t’u shpallur fajtorë për kryerjen e ndonjë vepre penale, të njëjtët, sipas Musës, nuk mund të pajisen me licencë të veprimtarisë për ta ushtruar funksionin e avokatit në Republikën e Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.

ARKATANA

Kush është nën hetime mund të humbasë licencën

Musa ka nënvizuar se mund të ekzistojë rreziku që një pjesë e gjyqtarëve apo prokurorëve, të cilët mund të jenë objekt i hetimeve, të tërhiqen nga këto pozita para se të fillojë procedura penale ndaj tyre dhe të njëjtët të aplikojnë për pozitën e avokatit, gjersa ata edhe mund të inkuadrohen në listat e Odës së Avokatëve dhe të marrin licencën e avokatit, mirëpo, siç tha Musa, në rast se edhe ndaj tyre vazhdojnë të zhvillohen hetime penale dhe të shpallen fajtorë për vepra penale të dënueshme mbi 6 muaj, atëherë Oda e Avokatëve e gëzon të drejtën që të njëjtëve t’ua marrë dhe tërheq licencat e ushtrimit të detyrës së avokatit. “Prandaj, në këtë aspekt nuk paraqet ndonjë problem reforma në sistemin e drejtësisë, përkundrazi ne besojmë se reformat e drejtësisë e ndihmojë edhe punën e avokatisë, për shkak se në të gjitha vendet e BE-së dhe atyre të SHBA-së, ku zbatohet ligji dhe funksionon shteti juridik, pozita e avokatit është shumë më e favorshme, ndërkaq në disa raste te ne në Kosovë nuk respektohet roli i avokatit, ashtu siç e parasheh ligji”, është shprehur avokati Skender Musa.

Përgjegjësisë nuk mund t’i bëjë bisht askush

Avokati tjetër, Nikë Shala thotë se dihet fare mirë se askush, përfshirë këtu edhe gjykatësit apo prokurorët, po qe se vërtetohet përgjegjësia me rastin e riemërimit dhe kalimit të tyre në avokati, sipas Shalës, të njëjtët nuk lirohen nga përgjegjësia, ngase, siç tha, çdo individi, i cili ndërmerr veprime në kundërshtim me ligjet në fuqi, do t’i shqiptohet sanksioni meritor, nëse i njëjti ka ndërmarrë veprime të tilla. ” Andaj, të kalosh në profesionin e avokatisë nuk nënkupton se i shpëton drejtë- sisë, pavarësisht cilësisë apo profesionit që ushtron dhe të gjithë personat duhet të japin përgjegjësi për veprimet e kundërligjshme pranë organeve kompetente. Ndërsa, në anën tjetër, Gjyqësori dhe Prokuroria nuk do të dobësohen në rast se në mesin e tyre bëhet filtrimi i shkelësve të ligjit, pasi kjo vetëm se do ta forcojë sistemin e drejtësisë, dhe njëkohësisht edhe do ta rrisë besimin e qytetarëve se në Kosove sundon vetëm ligji”, ka vijuar më tej Shala. Ai ka shtuar se natyrisht kur bëhet fjalë për gjykatës ose prokurorë, si persona zyrtarë dhe zbatues të ligjit që janë, çfarëdo keqpërdorimi i pushtetit apo pozitës zyrtare nga ta merret si rrethanë rënduese. “Megjithatë, duhet pasur parasysh faktin se sipas ligjit gjyqtarët dhe prokurorët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni për vendimet e marra, votimet e bëra, mendimet e shprehura dhe veprimet e tjera, por kjo vetëm brenda fushëveprimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot”avokati Nikë Shala./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.