Ligji për dekriminalizim pritet në 2017
Analistët vlerësojnë se me votimin e Ligjit për dekriminalizim në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të fillonte procesi, sa i nevojshëm po aq i domosdoshëm, për dekriminalizimin e politikës dhe institucioneve shtetërore, të mbushura përplot zyrtarë (militantë partiakë) të inkriminuar.
Derisa është paralajmëruar zyrtarisht që fillimi i vitit 2017, më së largu pranvera e këtij viti, do të nisë me funksionimin e Gjykatës Speciale, shpalljen e aktakuzave të para, njohësit e fushës së sundimit të ligjit në vend e shohin këtë proces si inkurajim të shtresës së shëndoshë të politikës kosovare edhe për fillimin e hartimit të legjislacionit përkatës që të nisë procesi i dekriminalizimit të politikës së tejinkriminuar, dekriminalizimi i thellë i institucioneve shtetërore të mbushura me zyrtarë të instaluar, të inkriminuar, që akoma sillen si të paprekshëm dhe mbi ligjin.
Profesori i së drejtës, Riza Smaka, tha për “Kosova Sot” se një proces i tillë do ta tronditë me themel skenën politike të vendit dhe pret që pre e kësaj gjuetie të jenë shumë zyrtarë të lartë në politikën dhe institucionet e shtetit të Kosovës. “Nga fillimi i funksionalizimit operativ të dhomave prokuroriale e gjyqësore, të cilat në fjalorin ditor quhen Gjykatë Speciale, pritet edhe arrestimi i funksionarëve të caktuar qeveritarë. Gjithsesi dhe varësisht nga pozicionet funksionale të personave të tillë, nuk mund të mos reflektohet në strukturat e institucioneve publike përkatëse e me të edhe në qeverisjen dhe ushtrimin e funksioneve publike. Të mos harrohet fakti se edhe kundër kryeministrit aktual janë të depozituara dyzina denoncime, të cilat deri sot nuk janë proceduar, së paku jo publikisht. Rrjedhimisht e varësisht se kush do të arrestohej do të rezultojë edhe (pa)qëndrueshmëria e Qeverisë dhe e qeverisjes aktuale”, theksoi ai.
Skena politike duhet të pastrohet Një pritje të tillë e kanë edhe analistët Florim Zeqa dhe Islam Krasniqi. “Ashtu siç dihet dhe është paralajmëruar, në fillimin e vitit të ardhshëm pritet funksionalizimi i Gjykatës Speciale. Krahas kësaj, është mirë që të hartohet edhe projektligji për dekriminalizimin”, ka thënë Zeqa.”Mbase pas fillimit të punës së Gjykatës Speciale pjesa e mbetur e politikës kosovare do të ketë guximin dhe kurajën për të kërkuar dekriminalizimin e institucioneve në të tria pushtetet dhe në të gjitha nivelet e pushteteve.
Ndryshe, me votimin e Ligjit për dekriminalizim në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të fillonte procesi, sa i nevojshëm po aq i domosdoshëm, për dekriminalizimin e politikës dhe institucioneve shtetërore të mbushura përplot zyrtarë (militantë partiakë) të inkriminuar”, theksoi më tutje ai. “Përfundimisht, pa pastrimin e skenës politike dhe institucioneve shtetërore nga mbeturinat e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk do të ketë mbarëvajtje të punës së institucioneve të pavarura, siç janë; gjykatat, prokuroria, policia dhe mekanizmat e tjerë përcjellës të jetës shoqërore. Nuk ka gjë më të rëndësishme për një popull sesa të ketë një shtet të shëndetshëm. Për një shtet mund të thuhet se është i shëndetshëm vetëm atëherë kur ka një qeveri të përgjegjshme dhe të pastruar nga aferat korruptive dhe kriminale”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.


