Pjesë e historisë
Albert Bunjaku ndihet krenar që është bërë pjesë e historisë së futbollit kosovar. Sulmuesi kosovar është lojtar i rregullt i Përfaqësueses dhe e ka shënuar edhe golin e parë në një ndeshje zyrtare pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA.
Tash, veterani i sulmit mezi pret të paraqitet në fushë ndaj Kroacisë më 6 tetor edhe ndaj Ukrainës pas tri ditësh.
“Është mirë të jesh pjesë e kësaj historie. Njëjtë siç ishte e bukur të isha në gjendje ta shënoja golin e parë ndonjëherë të kësaj skuadre që nga pranimi, ndaj Ishujve Faro. Për fat të keq, lojën nuk do të zhvillojmë në Kosovë, por në Shqipëri. Stadiumi i Prishtinës nuk është ende i gatshëm, daljet emergjente, parkingu dhe gjëra të tilla, nuk janë ende gati”, ka thënë Bunjaku për “Tagblatt Online”, përcjellë Zëri.
Ai ka folur edhe në përgjithësi për kualifikimet e Botërorit, për grupin në të cilin gjendet Kosova.
“Me Ukrainën, Kroacinë, Islandën dhe Turqinë e kemi një grup mjaft të vështirë. Kemi barazuar 1:1 me Finlandën, duke bërë lojë të mirë. Mendoj se Kosova do t’ju befasojë”, ka shtuar ai.
Ish-përfaqësuesi zviceran e shpjegon edhe entuziazmin dhe euforinë që e ka kapluar vendin e tij – Kosovën, para kësaj ndeshjeje.
“Në ndeshje me Finlandën jemi ndier si në shtëpi. Tifozët kanë qëndruar përballë hotelit tonë. Kosovarët kanë ardhur nga e gjithë bota. Nëse stadiumi do të ishte më i madh do të ishin 40,000 kosovarë në stadium. Njerëzit janë të ngazëlluar”, thotë futbollisti i St. Gallenit.
Ai ka folur edhe për karrierën e tij, duke insistuar se ka arritur shumë, edhe pse mund të shkonte edhe më larg. I pyetur se cilën përfaqësuese në mes Zvicrës dhe Kosovës do ta zgjidhte nëse sot do të ishte 20 vjeç, ai e pranon se sinqerisht nuk e di se çfarë do të bënte në këtë rast, raporton Zëri.
Bunjaku ka treguar se shtatë vjetët e parë të jetës i ka kaluar në Kosovë, para se në vitin 1992 të transferohej me familjen në Zvicër.
“Natyrisht, Kosova është një pjesë imja. Megjithatë, një pjesë e madhe e ambientit tim jeton në Zvicër dhe nuk do të mundë ta imagjinoja veten duke jetuar në Kosovë”, deklaroi Bunjaku, i cili thotë se edhe fëmijët e tij kanë filluar të merren me futboll. /Zëri/


