Kur bëhen punë t’hajrit, edhe qytetarët gëzohen…
Gjilan – Lagjja e Rrugës së “Kumanovës”, në Gjilan, këtë fillim javë përjetuan një gëzim. Gëzimi ishte rregullimi i rrugës së tyre me rërë. Andaj, aty kah ora 15-të e pas ditës, kamioni i pronës “Elbau-t” me disa punëtorë, punuan disa orë në rregullimin e një arterie të rrugës me rërë. Kjo punë u bë në rrugën jo aq të gjatë, por të brejtur dhe të dëmtuar mjaft nga koha.
Siç dihet, në dy anët e Rrugës së “Kumanovës” jetojnë mbi 200 familje. Rruga në fjalë, është akoma e paasfaltuar, e cila fillon nga hyrja e varreve të qytetit e vazhdon gjer pas “Kodrës së djegur” kah fshati Livoç i Ulët. Kjo rrugë e “Kumanovës” është mjaft e dëmtuar dhe për banorët e kësaj lagjeje, paraqet problem jetik: dimrit është me baltë, ndërsa vera është me pluhur. Për ta është një lloj “kanceri” që po e dëmton shëndetin e tyre.
Por, pa pritur, punëtorët e kompanisë “Elbau”, që punojnë në kuadër të komunës në fjalë, sot u gjenden në vendin e “ngjarjes”, ku, me tri mjete të tyre, e rregulluan atë pjesë të rrugës.
Suad Pireva, shef i njësisë në fjalë, tha se, ne jemi 17 punëtorë që i mirëmbajmë rrugët e qytetit tonë dhe qytetet tjera të Kosovës. “Po, sot, me disa punëtorë të tjerë, e “riparuam” këtë pjese të rrugës së “Kumanovës” me rërë dhe bëme rrafshimin e saj. Unë punoj qe 10 vite në këto punë dhe, s’bëj fare hile. Shihni se, nga kjo punë jona, “gjendja” po e ndryshon në të mirë të të gjithëve. Por, na bëjmë punë të tilla gjer në Kaçanik e mese të tjera. Por, Gjilanin e kemi si prioritet prej prioriteteve”.
Edhe Skender Pireva tha se, ne jemi në shërbim të qytetarëve. “Shihni, tha Skender Pireva, – komuna s’po ju harron, por po bën punë t’hajrit. Na sot po e rregullojmë këtë aks rrugor duke shtruar me rërë, sepse po duket se është mjaft e dëmtuar nga koha. Kjo punë po bëhet nga Zyra e Drejtorisë për Infrastrukturë, në Gjilan, e cila po interesohet dhe po e ndihmon popullatën me ndërtimin e rrugëve dhe me renovimin e tyre. Besoj, edhe kjo rrugë e “Kumanovës” së shpejti do të asfaltohet dhe do të shkëlqejë këtë pjesë të qytetit tonë. Na sot po i “harrnojmë” këto rrugë, por më mirë sot pak, s’e hiç”, shtoi Skender Pireva, punëtor i “Elbau-t“ në Gjilan./tefik selimi/rajonipress/


