ARKATANA

Me ne s’do të merret askush

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Muajt e ardhshëm nuk do të jenë aspak të favorshëm për Kosovën. Shtetet kryesore të BE’së do të merren me veten, ashtu si dhe SHBA. Të izoluar, kosovarëve nuk iu mbetet gjë tjetër, veç të shpresojnë. Siç bëjnë zakonisht.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls ka paralajmëruar se Europa është në rrezik të ndarjes dhe mund të dështojë. Gjatë një vizite në Gjermani ai ka thënë se projektet europiane kanë nevojë për një bazë të re dhe se Gjermania e Franca duhet të tregojnë forcën. Por, muajt në vazhdim ka shumë gjasa që ta ndryshojnë skenën politike gjermane e franceze, por edhe atë europiane, shkaku i zgjedhjeve dhe referendumeve të paralajmëruara.

Natyrisht, vëmendjen më të madhe do ta marrë Gjermania dhe Angela Merkel, popullariteti i së cilës po bie shkaku i politikës ndaj emigrantëve. Brengosje shtesë për Merkelin është rritja e rejtingut të kryeministrit të Bavarisë, Horst Seehofer i cili, sipas sondazheve të fundit, thuajse është barazuar me kancelaren. Po që se partia e politikanes lidere europiane nuk do të ketë sukses, atëherë Europa do të ballafaqohet me një situatë delikate. Sepse, kur ndryshon politika e shtetit më të fortë europian, atëherë kjo ndikon ndjeshëm në gjithë kontinentin e vjetër.

Por, jo vetëm Gjermania po iu druhet zgjedhjeve të ardhshme. Edhe Francën e Vallsit nuk po e presin ditë më të mira. Ndërkohë që e djathta ekstreme po merr krahë gjithandej Europës, vitin e ardhshëm edhe francezët do të votojnë për presidentin e ri. Liderja ekstremiste Marine le Pen sigurisht nuk pritet ta pasojë François Hollande’in, por se rritja e partisë së saj, siç pritet se do të ndodhë, do të trazojë shpirtra në Francë dhe më gjerë.

Në Austri zgjedhjet presidenciale përsëriten më 4 dhjetor dhe gjasat më të mëdha për t’i fituar ato i ka Norbert Hofer i Partisë së Lirë, e cila ka një politikë të ashpër ndaj emigrantëve. Kjo do të bënte që për herë të parë në krye të një shteti europian të vinte një i djathtë ekstrem, gjë që do t’i inkurajonte partitë e ngjashme në mbarë Europën.

Një ndër të djathtët që do të trazonte BE’në është edhe Geert Wilders, lider i subjektit politik euroskeptik dhe antimysliman Partia e Lirisë, e cila në zgjedhjet e ardhshme në Holandë do të mund të arrijë një rezultat serioz.

Ndërkohë, në Spanjë do të mbahen zgjedhjet rajonale në krahinën autonome të Baskisë, që kërkon të pavarësohet. Nacionalistët, të cilët mbrojnë qëndrimin se Baskia duhet të jetë shtet i pavarur, pritet të fitojnë sërish, në një moment të papërshtatshëm për Spanjën, e cila sapo ka kaluar një krizë qeveritare. Një situatë e tillë nuk e përjashton mundësinë që vendi të përballet edhe me trazira.

ARKATANA

Në referendum do të dalin italianët, të cilët do të votojnë për një ndryshim krucial në kushtetutë: nëse dhoma e lartë e parlamentit, Senati, duhet të mbetet pa kompetenca. Situata e

krijuar mund të çojë në rënien e qeverisë. Ndërkaq, zgjedhja në krye të SHBA’së e Donald Trumpit është vetëm një shqetësim shtesë për demokracitë gjithandej. Të mos harrojmë edhe vendimin e Britanisë së Madhe për ta braktisur BE’në. Por, si do të ndikojnë të gjitha këto ndryshime në Kosovë?

* * *

E izoluar dhe me ngecje të theksuara në të gjitha fushat, Kosova do të vuajë zhvillimet në shtetet e rëndësishme europiane, duke i zbehur edhe më shumë gjasat për ecje përpara. Çështja e liberalizimit të vizave, ashtu si dhe ajo e njohjes së pavarësisë nga pesë shtete të BE’së mund të komplikohet edhe më shumë, duke e kthyer vendin në një gropë të zezë në mes të Europës, pa perspektivë dhe me shumë probleme. Kësaj po i kontibuon edhe klasa e papërgjegjshme politike e vendit e cila, shkaku i përplasjeve të ashpra partiake dhe keqqeverisjes, i ka sjellë qytetarët në situatë të vështirë.

Shkaku i problemeve të veta të brendshme, gjasat janë që shtetet e BE’së të merren me Kosovën gjithnjë e më pak. Në këtë mënyrë, frustrimi ndër kosovarët vetëm sa do të shtohet. Ashtu si dhe skepticizmi për të bërë hapa pozitivë në procesin e integrimeve europiane, pavarësisht deklaratave boshe të politikanëve.

Nëse deri tash qytetarët e Kosovës janë ankuar se BE nuk po merret sa duhet me ta, le të përgatiten për të tjera ankesa. Europa është në hall me veten dhe Kosovën nuk e ka prioritet.