Në Gjilan e Anamoravë falet Kurban Bajrami, urime e gëzime në çdo shtëpi
Gjilan – Në të gjitha komunat e Anamoravës është falur Kurban Bajrami me urimin që kjo ditë të gëzojë zemrat e të gjithë shqiptarëve.
Në xhaminë e madhe në Gjilan sërish për shkak të numrit të madh të besimtareve falja e Kurban Bajramit është bërë në rrugë.
Imamët e të gjitha xhamive në Gjilan, Kamenicë e Viti duke uruar qytetarët për këtë festë të veçantë kanë thënë se kjo është dita që bashkon zemrat e muslimanëve sepse kjo festë është e veçantë.
Naim Aliu nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka uruar Gjilanasit për festën e Kurban Bajramit. Besimtarë të nderuar! Vëllezër e motra! Dita e Kurban Bajramit, është dita që bashkon zemrat e muslimanëve anembanë botës, për të përjetuar me shpirt e me ndjenja gëzimin dhe harenë, duke madhëruar e falënderuar Allahun e Gjithëpushtetshëm për begatitë Tij të dhuruara ndaj nesh. Çdo festë, përmban në vete mesazhe e porosi, por festa e Kurban Bajramit është një festë shumë e veçantë, sepse mesazhet dhe porositë e saj përçohen jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet zemrave e veprave të mira thuhet në urimin e Naim Aliut kryetar i BIKU-ut në Gjilan./rajonipress/


