Gjimshiti debuton titullar tek Avellino
Debutim si titullar i Berat Gjimshitit tek Avellino në Serinë B të futbollit italian.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare i huazuar te kjo skuadër pikërisht në ditët e fundit të merkatos nga Atalanta, rezultoi zgjedhje e parë në qendër të mbrojtjes nga trajneri Domenico Toscano, i cili e mbajti në fushë gjatë gjithë lojës.
Pavasërisht ngarkesës fizike dhe dëmtimit të lehtë që pësoi në eliminatoren e “Loro Boriçit” ndaj Maqedonisë, 23-vjeçari i lindur në Zyrih të Zvicrës bëri një paraqitje të mirë duke qenë vendimtar me ndërhyrjet e tij në disa raste, sidomos në pjesën e dytë.
Mbrojtësi shqiptar u përshtat në rreshtimin 3-5-2, modul që mund të aplikohet edhe nga De Biasi në kombëtare në varësi të kundërshtarit që kuqezinjtë do të kenë përballë.
Gjimshiti u huazua nga Atalanta tek Avellino për shkak të hapësirave të pakta që kishte te bergamaskët.
Aktivizimi në vazhdimësi në Serinë B do t’i japë mundësi të njihet më mirë me futbollin italian, për t’u kthyer ndoshta shumë shpejt tek zikaltërit në Serinë A./SuperSport


