Al Kaponët e Kosovës
Mungesa e sundimit efikas të ligjit në Republikën e Kosovës, sjellja e përgjumur e Prokurorisë vendore dhe asaj ndërkombëtare – EULEX-it, para krimit dhe korrupsionit, së bashku me Gjyqësorin e paralizuar dhe të kapur nga politika, sipas njohësve të sundimit të ligjit dhe analistëve, po bëjnë që Kosova ta përjetojë periudhën e sundimit të krimit që dikur e bënte Al Capone, kreu i mafisë së Çikagos.
Akoma askush nuk mund të japë një përgjigje se deri kur në Kosovë do të na qeverisin, në të gjitha shtyllat e pushtetit dhe në të gjitha nivelet të papërgjegjshmit dhe të paprekshmit, se deri kur gangsterët e tipave Al Kapone, siç i quan ambasadori amerikan në Tiranë, Lu, do të vazhdojnë të qëndrojnë e të mbesin mbi ligjin. Madje akoma unik dihet as deri kur do ta kuptojë edhe bashkësia ndërkombëtare, përmes ambasadoreve të vet këtu, se me këtë klasë politike të lidhur me mafio-bizneset e tipit Al Kapone nuk mund të ketë asnjë përparim apo zhvillim ekonomik shteti ynë.
Akoma nuk dihet se deri kur të dy prokuroritë, sikur kjo e shtetit, qoftë edhe ajo ndërkombëtare e EULEX-it, do të vazhdojnë të heshtin dhe të mos veprojnë për të sjellë në bankën e të akuzuarve të gjithë ata që e kanë kapur shtetin dhe kanë në shuplakë të dorës çdo gjë, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, sportin e kulturën, ndërtimin e urbanizmin, ambientin e planifikimin etj.
Edhe ndërkombëtarët kanë përgjegjësi
Deputeti i partisë në pushtet, LDK-së, Adem Salihaj, pohon se kjo situatë nuk mund të ndryshohet derisa vendin e qeveris kryesisht një përbërje politike e këtij lloji, e lidhur me krimin dhe korrupsionin, por se një përgjegjësi e ka edhe faktori ndërkombëtar, që nuk po distancohet nga një politikë e tillë. “Përderisa mafia politike e tipit të Al Kaponës është në krye të shtetit tonë, atëherë edhe shteti ynë nuk mund të jetë asgjë tjetër, përveç një shteti mafioz, në të cilin lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. E kam thënë sa e sa herë se “meritat” për vendosjen e krimit të organizuar në krye të institucioneve të Kosovës i ka në masë shumë të madhe bashkësia ndërkombëtare, e cila ka bërë çmos që të eliminohen figurat e ndershme kombëtare dhe të vijnë këta tjerët”, tha ai. “Është demagogji dhe hipokrizi kërkesa e vazhdueshme e tyre se institucionet e Kosovës duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kur vetë ata i kanë vendosur këto struktura kriminale në krye të shtetit”, tha Salihaj për ‘Kosova Sot’.


