Eko Higjiena

Antiamerikanët provincialistë dhe rrugaçët e përjetshëm!

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Behxhet Sh. Shala – Bajgora – Çdo gjë rreth demarkacionit: Dita “D” apo 1 shtatori 2016 kur do të votohet në Kuvendin e Kosovës ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është shumë afër, prandaj palët kundërshtuese apo, më mirë me thënë, “ndërluftuese”, i kanë shtuar aktivitetet e tyre. Më duhet ta pranoj se në këtë drejtim pozita, mbase për shkak të rrethanave të favorshme që e mban pushtetin, është më e organizuar dhe më agresive, duke përdorur dhe keqpërdorur mediet publike dhe jopublike për qëllimet e veta. Kohët e fundit më shpesh po duket në “RTK”, të cilën e quaj shtëpia e vetme publike me letra në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, se Festim Kabashi i cili ka kontratë të rregullt pune në “RTK”.

A është kjo për faktin se Festimin disi e kanë margjinalizuar apo se Hashim Thaçi po tregohet më i shkathtë si gazetar, ende nuk e kam të qartë. Edhe kryeministri Mustafa, sigurisht për shkak të afërsisë fizike të shtëpisë ku jeton me objektin e “RTK”-së, më shpesh po e kalon kohën me Ridvan Berishën dhe Ngadhnjim Kastratin se me anëtarët e familjes! Duket se i kanë lënë përshtypje të mirë këta dy gazetarë të devotshëm të “RTK”-së! Opozita, që dikur përbetohej në dashuri të përjetshme, u nda në dy pjesë; AAK-ja dhe Nisma si kundërshtarë paqësorë të demarkacionit, kurse LV-ja si krah militant për pengim të ratifikimit, me të gjitha mjetet e lejuara demokratike (gazi lotsjellës, shishe me ujë, ndonjë kubëz guri në kokat e Policisë së Kosovës dhe të tjera) është mobilizuar më shumë, mirëpo nuk po has në përkrahje të AAK-së dhe të Nismës! Është një situatë e rëndë, me dy të vërteta të mëdha apo me dy gënjeshtra edhe më të mëdha.

Pozita, që për zëdhënës e ka caktuar zotin president, po këmbëngul se Kosova nuk e humbet as edhe një pëllëmbë toke të saj (po mbrohet një pëllëmbë fytyrë), kurse opozita që nga fillimi ka deklaruar se Kosova humb midis 8 200 – 10 000 hektarë, që është shumë më e madhe se një pëllëmbë toke. Realisht kemi një dallim aq të madh në sipërfaqe, prandaj është i pamundur përafrimi i qëndrimeve duke na vënë në dilemë se cila është adresa e së vërtetës. Fitohet përshtypja se të dyja palët po manipulojnë; pozita po fsheh diçka që vdekatarët e thjeshtë që i quan qytetarë të dashur të Kosovës nuk kanë fare idenë se çfarë ka ndodhur në ato bisedimet krejtësisht jotransparente me Malin e Zi, kurse opozita, me një over dozë të patriotizmit, po bën përpjekje ta detronizojë pozitën dhe të bëhet vetë pozitë që, përkthyer në shqipe, duhet të kuptohet se e dëshiron pushtetin jashtë procedurës dhe me një rrugë të shkurtuar!

Në këtë luftë të ftohtë edhe komisioni shtetëror ka kaluar në kundërsulm duke shkuar fërkemeve të pozitës dhe duke e vënë ekipin e ekspertëve në një pozitë mbrojtëse. Jemi dëshmitarë se ata që ishin shumë të zëshëm para një muaji, tash nuk po dëgjohen fare! Ose kanë shkuar në pushime ose….kanë pirë kafe me ndonjë mik ndërkombëtar të Hashimit! Realisht po bëhet presion mbi deputetët, ndonëse po të ishte në pyetje ndonjë interes thjesht partiak do të kishin të drejtë mirëpo, për një interes shtetëror dhe kombëtar, duhet një pajtim i gjerë dhe çështjet partiake as që do të duhej të përmendeshin. Pozita po e keqpërdor skajshmërisht faktorin ndërkombëtar (që në rastin konkret po tregohet shumë më miqësore ndaj Serbisë dhe Malit të Zi) dhe procesin e liberalizimit të vizave sikur edhe Bajram Gecajn, duke i cilësuar kundërshtarët e demarkacionit si antiamerikanë dhe pengues të liberalizimit të vizave e që nuk është aspak e vërtetë ndërsa opozita, për shkaqe politike gjithsesi, po e keqpërdor kartën e patriotizmit duke i akuzuar për tradhti kombëtare dhe duke gërryer në zorrët e së kaluarës te të gjithë ata që janë për demarkacionin ndonëse, edhe në mesin e tyre si dhe të ekspertëve, ka të tillë që thonjtë dhe zorrët i patën lidhur me Jugosllavinë dhe Serbinë! Deputetët janë të hutuar sepse në të shumtën e rasteve kurrë nuk kanë votuar si të pavarur, por vetëm kanë qenë mekanizëm automatik për votim! A duhet t’u besohet atyre deputetëve që janë shndërruar në yje mediatike duke deklaruar se do të votojnë kundër demarkacionit?

Duhet të jemi të kujdesshëm nëse i kemi parasysh përvojat e mëparshme! Se me çfarë deputetësh kemi të bëjmë po e ilustroj me disa shembuj. Lista serbe e Beogradit po e shantazhon votën me formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Me këtë rast, çdo shtet normal do të ndërmerrte veprime ligjore kundër këtij shantazhi sepse veprimet politike nuk vlejnë asgjë. Disa deputetë të partisë më të madhe në pushtet kanë deklaruar se votën e tyre do t’ia besojnë grupit parlamentar, ndonëse votimi është individual dhe deputetët janë zgjedhur me vota individuale e jo si grup parlamentar. Sikur të jenë kërcënuar nga partia, prandaj po struken në gjirin e partisë! Përfaqësuesi i komunitetit kinez në Kuvendin e Kosovës, ndryshe anëtar i LDK-së, Nur e din Ibi Shi, i ka thënë fjalët më të “zgjedhura” për komisionin shtetëror dhe demarkacionin në kontekstin më negativ të mundshëm por.., por.., shihe ti, për interesa të shtetit do ta votojë ratifikimin!!! Po të fliste në gjuhën kineze, për shkak të mosnjohjes së kësaj gjuhe ndoshta do ta kaloja atë çfarë e tha Ibi Shi mirëpo, ta thuash shqip e mos të reagosh, atëherë do ta vejë veten në pozitën e një injoranti të çmendur! Shumë deputetë që i kanë vënë topet në tavolinë për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes, me ta parë xharrahun që nuk flet shqip, ndryshe mik i Hashimit, do t’i fusë brenda ose do të mbetet pa to! Mendoj se në rastin konkret është shumë më mirë të mbetet pa to sesa t’i bartë për së rëndi, si tepricë fiziologjike e që nënkupton se marrëveshja nuk duhet të ratifikohet, pa sqarime plotësuese dhe pa një konsensus të përgjithshëm. Miqtë ndërkombëtarë të Hashimit janë pragmatikë në veprim dhe vendimmarrje, asgjë nuk iu pengon që në emër të largimit të Malit të Zi nga ndikimi i Rusisë, t’i japin toka të Kosovës! A mos do të ishte hera e parë dhe mbase jo edhe e fundit që tokat shqiptare t’i “privatizojnë” në dobi të shteteve fqinje, joshqiptare?! Në fund të fundit, a mos bëhet kiameti nëse ky proces shtyhet për 2-3 muaj dhe, në ndërkohë, të bëhen përpjekje për arritje të një konsensusi!

UBT

Pastaj, po flas si një injorant i përcaktimit të vijave kufitare, nëse komisioni shtetëror i Kosovës është i sigurt se e ka bërë punën mirë dhe nëse Mali i Zi gjithashtu është i sigurt se çdo gjë është në rregull rreth shënimit të vijës kufitare, atëherë vetë do të kërkonin të takohen, deri në sqarimin e moskuptimeve të mundshme! Kështu, me vetë faktin se po fshihen prapa politikës, na bëjnë të dyshojmë se diçka po krimbet në këtë marrëveshje! Nëse, sipas Malit të Zi, çdo gjë është në rregull, pse atëherë e kundërshtojnë arbitrazhin ndërkombëtar duke deklaruar se për Malin e Zi kjo çështje ka përfunduar. Prandaj, në këto rrethana ratifikimi i marrëveshjes nuk duhet të votohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht! Jo pse këtë e kërkojnë Ramushi, Fatmiri, Visari, por se ende ka shumë mjegull mbi këto territore!
Goditje e rëndë për demarkacionin: Të gjithë së bashku, opozitë, shoqëri civile, individë me ndikim, medie dhe ekipi i ekspertëve të pavarur nuk e kanë luftuar dhe sfiduar demarkacionin sa e ka bërë Diellza e cila, e vetme dhe e armatosur vetëm me asetet e saj, hyri në tokat e Kosovës, tash të okupuar nga Mali i Zi, duke e kundërshtuar këtë proces. Nuk ka hajgare me zanat e malit! Ja ku jam!

Çka të bëhet pas ditës “D”: Policia e Malit të Zi u vendos te kufiri i Muratit. Ajo nuk lejoi që rugovasit të shkojnë më tutje duke u thënë se: “Ovde je Crna Gora” (Këtu është Mali i Zi). Ata marrëveshjen e ratifikuar njëanshëm e morën si kufi zyrtar midis dy shteteve derisa ne ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit, sikur korbi i Edgar Allan Posë. Në rast të mosratifikimit të marrëveshjes pozita do t’i adresojë të gjitha dështimet te opozita sikur që opozita do t’ia vë vulën pozitës (atyre që votojnë për ratifikim të marrëveshjes) për tradhti kombëtare dhe shitje të territorit të Kosovës. Nuk e besoj se do të ketë përshkallëzim aq të madh të situatës që ajo të mos mund të menaxhohet apo mbahet nën kontroll!

Koalicioni do të shpërbëhej po të kishte kushte që të lidhnin koalicione parazgjedhore dhe paszgjedhore pa ndikuar ndërkombëtarët. Ishim dëshmitarë që ndërkombëtarët nuk e lejuan VLAN-in të vinte në pushtet sikur që nuk do të lejonin një koalicion midis PDK-së, AAK-së dhe Nismës. Më tutje, ndërkombëtarët nuk do të lejonin një opozitë të fuqishme me LDK-në dhe LV-në, kështu që subjektet politike që tani duhet t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm sepse, në këtë rast, rezultati i zgjedhjeve lokale do të jetë përcaktues edhe për zgjedhjet e përgjithshme. Kosova do të kalojë nëpër disa procese që nuk do të jenë aspak të lehta, prandaj edhe për një kohë “miqve” të Hashimit do t’u duhej koalicioni i madh. Gjykata Speciale do të shndërrohet në elektorat për një a dy subjekte politike, kurse do t’i cungojë disa subjekte të tjera, por jo në atë masë që dikush e pret. Po ta kalojmë së pari një (1) shtatorin e pastaj flasim për dy shtator! Megjithatë, jam i sigurt se, ndonëse me vonesë, edhe në Kosovë do të fillojë dekriminalizimi i shoqërisë!

Kujtim Shala u lirua nga posti i zëvendëskryeministrit. A është ky fillim i riformatimit të Qeverisë apo ndërlidhet me votimin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion, ende nuk e kam të qartë!

Një mik imi që është jashtëzakonisht i informuar më tregoi se kufijtë na janë caktuar dhe rrobat na janë prerë me Marrëveshjen e Kumanovës, ku shqiptarët nuk kanë pasur qasje si palë e barabartë, mirëpo ai më siguroi se materialet që i kanë paraprirë kësaj marrëveshjeje i janë dorëzuar në Bon të Gjermanisë, Hashim Thaçit, Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Qosjes me të drejtë t’i japin komentet e tyre. Gjithnjë sipas këtij burimi, treshja nga Kosova nuk i ka lexuar fare këto dokumente, prandaj nuk ka pasur fare komente apo kundërshtime. Është kjo në natyrën tonë, nëse është e vërtetë informata e mikut tim!