Uji e balta e Bajës së Mireshit po i shëron shumë sëmundje
Gjilan – Jo larg Gjilanit, në kilometrin e 8-të të rrugës Gjilan- Bujanoc, gjendet Baja e Mireshit (Dobërçanit). Kjo bajë e ka historinë e saj të hershme dhe interesante. Këtu buron ujë mineral dhe shërues. Uji i kësaj Baje buron nga toka e s’ndalet. Buron ujë të nxehtë e me pak shije të thartë. Del përfundi rrugës në disa kroje. Këto kroje (burime) rrjedhin ujë pa u ndalë dhe si furnizojnë qytetarët nevojtarë. Andaj, aty afrohen njerëzit e furnizohen me këtë ujë shërues dhe është një fenomen i rrallë i natyrës së kësaj ane të Anamoravës.
Nga dy anët e kësaj lugaje, ngrejnë shtat kodrat jo aq të larta me pyje e gurë gëlqeror.Qytetarët nevojëtarë rrëfejnë për ujin e kësaj baje shumë shërues e të kërkuar. Uji i kësaj baje të Mireshit shëron sëmundjet e lukthit, varrëve të ndryshme trupit, sëmundjet e reumatizmës, e rregullon të pamurit e syve, heq dërlat nga sytë, i mënjanon puçrrat nga trupi, dhembjen e eshtrave etj. Thonë se, kanë ardhur njerëz në karro dhe, pas gjashtë ditësh, ata janë kthyer pa karro në këmbë të veta. Disa të tjerë, kanë ardhur me syze, duke i pastruar sytë disa ditë me ujin e kësaj baje, i kanë hequr syzat.
Pra, këtu vijnë njerëz dhe kërkojnë shërim jo vetëm ditën, por edhe natën. I madh e vogël afrohen te këto kroje të kësaj baje dhe i lajnë sytë dhe trupin. Për të mbushur ujë, shpeshherë nevojëtarët bëjnë pritje nga një orë e më tepër për të ardhur në rend gjer tek ujët e kërkuar shërues.
Shefqet Berisha, 57-vjeçar nga Podujeva, na rrëfen: “Erdha me vëllaun tim, i cili punon në botën e jashtme. Edhe në anën tonë ka baja, por kjo bajë këtu më pëlqen, sepse thonë se është shëruese për shumë sëmundje të njeriut. “Sipas disa të dhënave, që unë i kam dëgjuar nga të tjerët, ky ujë e ka daljen më lart, atje në mal (kodër). Ky ujë ka shije dhe pijet. Është pak i nxehtë, por i thartë, ku në vete përmban kalcium, fosfor, acid sulfurik 1% që ndihmon shërimin sëmundjeve të lëkurës e pezmatimeve të ndryshme. Ja për këtë ujë erdha dhe jam tepër i kënaqur me shërimin tim e të vëllaut”.
Nexhat Ibishi, pronar i bajës në fjalë ka shtuar, se, ky vend shërues ka “histori” të hershme më tepër se 46 vjeçare. “Sipas gojdhanave, këtu i pari që e ka hetuar e “zbuluar” bajën e Mireshit është tregtari Miftar Abazi nga fshatit Përlepnicë. Ai ka qenë tregtar që është marrë me shit-blerjen e kafshëve. Një ditë, ai, duke shkuar për ta shitur kalin në tregun e Bujanocit, thonë se, kali i tij ka qenë i sëmurë nga të ajurit e këmbëve, reuma. Pa një pa dy, ai kalin e vet e kanë gjuajtur në bugjillë me ujë (gjol) të kësaj baje. Por, pas disa jave, kur atij i bie puna të kalon rrugës afër kësaj baje, befasohet kur sheh kalin e vet duke kullotur bar në shpat të kësaj pjese të bajës. Thonë se, ai e ka marrë kalin dhe e ka mbajtur për shumë kohë. Nga kjo, qytetarët vijnë në përfundim se, uji i kësaj baje është shërues i reumës e sëmundjeve të tjera të njeriut.
Ibishi, po ashtu thotë se, uji në fjalë i kësaj baje po i shëron shumë sëmundje të qytetarëve tanë nevojëtarë. “Kjo është e vërtetë. Shihni, ditëve të vikendit, vijnë aq qytetarë dhe nuk ka vend për t’i zënë të gjithë ata nevojëtarë. Vijnë i madh e i vogël dhe ulen në çdo kënd të kësaj hapësire e kësaj baje. Vijnë njerëz për nevojat e veta nga Kaçaniku, Podujeva, Prishtina, Presheva, Kamenica, Uglari e nga mese tjera të Kosovës dhe janë të kënaqur me ujin e kësaj baje. Këtu, edhe balta është shëruese. Shini në një vend, aty janë grumbulluar nevojëtarë dhe presin me orar për nxjerr baltën nga ai vend për ta lyerë trupin. Femrat thonë se, as kremat e barnatoreve nuk janë më shëruese se balta e kësaj baje. Hiqen rrudhat dhe lëkura duket krejtësisht tjetër. Balta ndihmon edhe shërimin e reumës”, shton në fund të bisedës, z. Ibishi, pronar.
Po ashtu, një femër, nënë e dy fëmijëve nga Gjilani, tha se, sa herë vij nga bota e jashtme, këtë bajë e vizitoj dhe “relaksohem” me ujin e baltën e saj. “Unë punoj si frizere në Zvicër. Nga puna që bëj, më dhemb shpinda dhe damarët e qafës. Sa herë kam ardhur këtu, trupin ku më janë dhimbjet, i lyej me baltën e kësaj baje. E ndej vetën shumë mirë. Por, e lyej edhe fytyrën dhe dukem më bukur se me krem të blerë. Më pastrohet fytyra dhe jam në gjendje më normale”, shtoi ajo.
Një qytetar nga Kamenica, që nuk na u prezentua me emër, tha se, këtë ujë të kësaj baje e përdorim përherë, se është ujë për pije e shërues i lukthit. “Nuk ka ujë më të mirë se uji i bajës së Mireshit. Këtu vij në çdo tri ditë dhe marri ujë me disa enë, ku qytetarët nevojëtarë e përdorim edhe për pije, por edhe për larjen e syve etj. Është ujë i shëndoshë dhe ka përbërje shëruese që ndihmon në shërimin e lëkurës, të pamurit e syve, reumën, varrët e njeriut etj”./tefik selimi/rajonipress/

