Uji Dea

Të entuziazmuarit e seminarit

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Milena Beran, njëzet e tre vjeçare, nga Beogradi i Serbisë, ka ardhur në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, për të marrë pjesë në edicionin e 35-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Për Gazetën Zëri, duke folur një shqipe të rrjedhshme, ajo tregon se ditët e qëndrimit këtu janë një eksperiencë e mirë, jo vetëm për faktin se ajo është studente e gjuhës shqipe në Beograd, porse këtu edhe ka pasur rastin të njoh shumë njerëz dhe të mësojë më shumë për letërsinë e kulturën shqiptare.

“Kjo është hera e parë që unë marr pjesë në këtë seminar dhe më ka pëlqyer shumë, sepse unë studioj gjuhën shqipe në Beograd. Kam mbaruar vitin e dytë dhe erdha këtu për të mësuar më mirë gjuhën shqipe dhe që ta praktikoj për shkak se në Beograd nuk praktikohet shumë. Kur të kthehem në Beograd i kam provimet së shpejti dhe besoj që mësimet nga këtu do të më ndihmojnë shumë”, thotë Milena.

Ajo tregon se këtë vit në Beograd kanë filluar studimet për gjuhën shqipe një grup prej tridhjetë personash dhe se ky është një rekord.

Seminaristja, që në Prishtinë po qëndron bashkë me rreth 130 studentë, studiues e dashamirë të tjerë të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, që vijnë nga vende të ndryshme të botës, rrëfen se po shijon qëndrimin këtu dhe se i ka pëlqyer edhe vizita në Shkodër, por do të donte të qëndronin më gjatë atje. Nga qytetet e Kosovës që ka parë Milena veçon qytetin antik të Kosovës, Prizrenin.

“Këtu kam takuar shumë njerëz. Më kanë bërë përshtypje shumë arbëreshët nga Italia dhe jam shumë e lumtur që i kam njohur, sepse kam lexuar nëpër shumë libra për ta dhe për historinë e tyre”, tregon Milena.

Ajo thotë se në Prishtinë më së shumti i pëlqen dinamika, zhurma dhe jeta e natës, por natyrisht edhe mikpritja dhe shoqërimi me vendasit.

“Nuk kam pasur aspak dyshime apo ndonjë frikë kur kam vendosur të vijë këtu, sepse as nuk është hera e parë që vizitoi Prishtinën. Ne flasim në Beograd për Kosovën dhe për Shqipërinë. Shokët e mi e din që unë vi në Kosovë shpesh dhe atyre do të u tregoj për eksperiencën time këtu. Shpresoj që të marr pjesë sërish në këtë seminar”, thotë Beran, studente nga Beogradi i Serbisë.

UBT

Edhe Jetmir Gashi, kosovar i rritur dhe shkolluar në Gjermani, pjesëmarrës në këtë seminar, thotë se për të pjesëmarrja në këtë seminar ka qenë e dobishme, ani pse ai e flet shqipen, por duke qenë se nuk është shkolluar në gjuhën shqipe, këto kurse i kanë ndihmuar të kuptojë më shumë gjuhën standarde dhe rregullat e shkrimit.

“Mua më është dukur shumë mirë organizmi këtu. Po më pëlqen shumë që po takoj njerëz të rinj dhe po marr kontakte nga e gjithë bota. Mua më së shumti më kanë ndihmuar kurset, sidomos ato me profesoreshën Agnesa Hasmija. Më ka pëlqyer shumë metoda e saj e mësimdhënies. Qëllimi im ka qenë ta përmirësojë gramatikën, sepse unë e kam mësuar vetëm dialektin e shqipes në shtëpi. Unë një semestër kam bërë mësim shqip në Gjermani dhe ata më kanë rekomanduar të vij në këtë seminar, pasi që në këtë kohë jam edhe me pushime në Kosovë” tregoi Gashi.

Duke qenë me prejardhje nga Prishtina Jetmiri thotë së me kënaqësi u ka ndihmuar seminaristëve të orientohen dhe t’i vizitojnë vendet më të veçanta në kryeqytet.

Ky seminar ka nisur më 15 gusht për të zgjatur deri më 26 gusht, ku për dymbëdhjetë ditë me radhë organizon prezantime shkencore, ligjërata, referime, diskutime, kurse gjuhe e vizita.

Edhe këtë vit ky seminar karakterizohet nga tri tema bosht. Tema boshte e sesionit të letërsisë është “Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe”, tema e sesionit të gjuhësisë është “Varietetet e shqipes”, ndërkohë që nga viti i kaluar është themeluar edhe sesionin e kulturologjisë, ku tema boshte sivjet është “Media në epokën e internetit”.

Veçanti e këtij seminari janë edhe vizitat në lokacione të caktuara të Kosovës dhe Shqipërisë që kanë për qëllim njohjen e vizitorëve me veprimtaritë kulturore të vendit. Sivjet ata patën mundësinë të shohin Zymin e Hasit dhe Shkodrën, përkatësisht Fshatin e Paqes, rezidencën e shkrimtarit Ndre Mjedja”.

Për herë të parë në këtë seminar sivjet në mënyrë të organizuar kanë ardhur një grup studentësh e studiuesish arbëreshë nga Zara. Për mbarëvajtjen e seminarit Fakulteti Filologjik ka angazhuar studentë për të ndihmuar vullnetarisht.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar 42 vite më parë, në vitin 1974 nga disa intelektualë dhe albanologë të shquar të asaj kohe.