Selimi: Vizita e Biden shumë e rëndësishme. Demarkacioni të kthehet prapa!
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për Gazetën Blic se vizita e zëvendës presidentit amerikan Joe Biden, është shumë e rëndësishme dhe se duhet të kuptohet si përkrahje kështu që deklaratat e tij duhet të kuptohen drejt dhe jo të përkthehen nga kabineti qeveritar.
“Vizita e Biden në Kosovë është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, për shqiptarët dhe për rajonin. Kjo vizitë duhet të kuptohet si përkrahje të qytetarëve të Kosovës nga kjo vizitë duhet të përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe shteti i tyre, e jo pushtetarët e Kosovës dhe pushteti i tyre. Prandaj deklaratat e tij, duhet të kuptohen drejt dhe jo të përkthehen nga kabineti qeveritar.” tha Selimi, përcjell Gazeta Blic.
Ai ka folur edhe për demarkacionin dhe masat që do t’i ndërmarrë VV për pengimin e ratifikimit të tij në Kuvend.
Sipas tij, kusho që mendon se Lëvizja Vetëvendosje do të heshtë kundrejt padrejtësive që i bëhen Kosovës, e ka shumë gabim.
“Mjetet e protestës dihen, kushdo që mendon që Lëvizja Vetëvendosje, do të heshtë apo do të pajtohet me padrejtësitë ndaj Kosovës, e ka shumë gabim. Në Kosovë, protestat janë të domosdoshme kur kemi një Qeveri çfarë është ajo Mustafa- Thaçi. Në Kosovë ka nevojë të protestohet për shumëçka edhe për gjendjen ekonomiko-sociale edhe kundër papunësisë edhe kundër padrejtësive ndaj qytetarëve te Kosovës, por me theks te veçantë ka nevojë të protestohet dhe do te protestohet deri në kthimin mbrapsht të marrëveshjeve të këqija dhe të dëmshme që ka bërë qeveria e Kosovës qoftë me Serbinë, qoftë me Malin e Zi”, tha Selimi, përcjell Gazeta Blic.
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta në kundërshtim të marrëveshjeve për Demarkacionin, ndonëse ende nuk e ka caktuar datën e mbajtjes së saj./ Gazeta Blic

