Oligarkët po i qërojnë hesapet mes tyre
Skandali i fundit, ‘Pronto’, që nxori në pah shumë punësime dhe emërime në baza nepotiste, familjare e partiake, nga analistët, dhe ekspertët e fushës së drejtësisë po vlerësohet se organet e drejtësisë dhe ato të ndjekjes kanë material të bollshëm për të nisur hetimet dhe për të zbardhur të vërteten, ngase punësimet e tilla janë në kundërshtim të plotë me barazinë para ligjit, por edhe me ligjet vendore, si dhe konventat ndërkombëtare, duke paraqitur kësisoj edhe vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Por, a ka presion politik mbi drejtësinë në mënyrë që kjo e fundit të mos merret me skandalin aktual ‘Pronto’, ku protagonist janë krerët e shtetit dhe të partisë që e ka kapur shtetin?.
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se presioni politik në Kosovë ekziston, dhe është shtrirë në të gjitha sferat e jetës publike, ekonomike, kulturore, të drejtësisë dhe të sigurisë, derisa, sipas tij, skandali i fundit, “Pronto”, vetëm e fuqizoi dhe dëshmoi edhe më tej se sa thellë ka prekur ndikimi politik, po ashtu vërtetoi vërejtjet e gazetarëve dhe medieve që kanë shkruar mjaft për dukurinë në fjalë. “Në këtë plan po veçoj angazhimin e gazetës “Kosova Sot”, për të hulumtuar krimin ekonomik në shumë sfera, duke përfshirë skandalin me librin shkollor, miellin, telefoninë dhe shumë skandale të tjera. Tashmë pasi përgjimet e krerëve më të lartë të shtetit u bënë publike, shihet se kryeparlamentari, presidenti dhe kryeministri i vendit janë koka e krimit në Kosovë, prandaj drejtësi në Kosovë nuk ka, vetëm presion politik, dhe ajo kontrollohet krejtësisht nga oligarkët politikë”, theksoi ai. “Është thënë mjaft se shteti është kapur nga oligarkët politikë, por deri në këtë shkallë askush nuk ka besuar”, potencoi Dibrani.
Drejtësia nuk veproi asnjëherë
Dibrani më tej thotë se jemi dëshmitarë se drejtësia nuk ka vepruar siç duhet në asnjë rast, pavarësisht skandaleve publike, andaj së këndejmi, sipas tij, nuk ka as çfarë të thuhet më shumë, përveç përpjekjeve për të gjetur, siç tha, fillin e lëmshit të ngatërruar për ta reformuar drejtësinë, përkatësisht për ta shkapur atë nga kontrolli që ia bëjnë struktura e caktuara nga politika. “Në këtë aspekt, shqetësues është edhe fakti se përse bashkësia ndërkombëtare ka lejuar që të vijnë në krye të shtetit njerëz kaq të përfolur dhe me skandale të tilla, dhe vërtet është mëkat si kanë mundur të lejojnë që në tre vendet kyçe të pushtetit të vijnë personalitete me të kaluarën e tyre përplot shantazhe e hipoteka mbi të cilët dyshohet se rëndojnë vepra të mëdha kriminale, derisa në anën tjetër, sot në Kosovë veprojnë grupet e fuqishme politike e parapolitike, të cilat e kontrollojnë pikë për pikë veprimin e drejtësisë, prandaj edhe nëse drejtësia realizon ndonjë veprim atë e bën vetëm sa për konsum të brendshëm dhe për spektakle mediatike”, është shprehur Dibrani.
Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani mendon se organet e drejtësisë duhet reaguar ndaj një fenomeni të tillë të kundërshtueshëm me Kushtetutën dhe ligjet vendore, si dhe konventat ndërkombëtare, derisa, sipas tij, punësimet e tilla janë në kundërshtim të plotë me barazinë para ligjit që përmend Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare si dhe paraqet vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në anën tjetër se përse nuk reagon drejtësia, kjo Burjani thotë se është temë e tyre që rrjedhimisht sjell përgjegjësinë edhe për këto institucione të drejtësisë./kosova sot/


