Pacolli: Aeroporti i Vlorës po mbahet peng prej gjashtë javësh, MABCO i bën apel urgjent SPAK-ut të ndërhyjë
Tiranë – Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke e cilësuar atë alarmante dhe duke i bërë një apel të ri publik Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të ndërhyjë për, sipas tij, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e një investimi strategjik.
Në reagimin e tij publik, Pacolli pretendon se edhe pas gjashtë javësh, Aeroporti i Vlorës vazhdon të mbahet i bllokuar nga grupe private që, sipas tij, veprojnë jashtëligjshëm, duke përmendur me emër Valon Ademin, Vegim Hoxhën dhe Bujar Ejupin, si dhe roje private të sigurisë, për të cilët ai pretendon se ushtrojnë vetëgjyqësi pa vendim gjyqësor dhe pa urdhër të ndonjë institucioni ligjor të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Pacollit, kompanisë MABCO vazhdon t’i mohohet e drejta e aksesit në pronën ku, sipas tij, janë investuar qindra milionë euro, me qëllim përfundimin e punimeve dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktuale. Ai pretendon se kjo situatë zhvillohet çdo ditë para syve të Policisë së Shtetit, ndërsa përgjigjja që marrin shpesh është: “Kemi urdhër nga lart.”
Në deklaratën e tij, Pacolli ngre një sërë pyetjesh publike, duke kërkuar të dihet se kush ka urdhëruar moszbatimin e ligjit dhe të vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, si dhe kush mban përgjegjësi për faktin që, sipas tij, çdo denoncim i MABCO-s, çdo kërkesë për zbatimin e ligjit dhe çdo apel për respektimin e vendimeve gjyqësore kanë mbetur pa përgjigje.
Për këtë arsye, ai i bën thirrje urgjente SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet për të identifikuar jo vetëm autorët e pretenduar të bllokadës së paligjshme, por edhe personat brenda institucioneve që, sipas tij, kanë penguar trajtimin e denoncimeve dhe zbatimin e ligjit.
Pacolli paralajmëron se çdo ditë vonesë, sipas tij, dëmton shtetin e së drejtës, rëndon klimën e investimeve dhe rrit rrezikun e një përshkallëzimi të situatës, duke theksuar se përgjegjësia nuk do të bjerë mbi ata që kërkojnë të drejtat e tyre ligjore, por mbi institucionet që, sipas tij, me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë lejuar vazhdimin e kësaj gjendjeje.
Në reagimin e tij ai shprehet gjithashtu se sistemi ligjor dhe institucionet, sipas pretendimit të tij, janë kapur nga grupe private që ushtrojnë vetëgjyqësi, ndërsa i bën thirrje SPAK-ut të veprojë pa vonesë.
Pacolli thekson se MABCO po i përballon këto sfida me durim dhe përgjegjësi për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar, duke argumentuar se një proces i tillë do të dëmtonte jo vetëm imazhin e Republikës së Shqipërisë, por edhe do të krijonte barrë financiare që, sipas tij, në fund do ta paguanin qytetarët shqiptarë.
Megjithatë, ai deklaron se dokumentacioni për nisjen e një arbitrazhi ndërkombëtar është pothuajse i plotë dhe se MABCO disponon dy baza juridike për mbrojtjen e të drejtave të saj: Marrëveshjen për Mbrojtjen Reciproke të Investimeve (BIT) ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe Kontratën e Koncesionit.
Pavarësisht kësaj, Pacolli thekson se kompania vazhdon të zgjedhë rrugën e durimit dhe besimit te drejtësia shqiptare, duke deklaruar se do të presë deri në kufijtë e fundit të arsyes që institucionet e drejtësisë të veprojnë ndaj atyre që, sipas tij, me metoda të vetëgjyqësisë dhe parime mafioze po mbajnë peng një investim strategjik dhe po sfidojnë hapur vendimet e Gjykatës së Lartë.
“Unë jam njeriu i fundit që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar. Kërkesa ime e vetme është që ligji të zbatohet në Shqipëri, vendimet e gjykatave të respektohen dhe investitorët të mbrohen nga vetë shteti që i ka ftuar të investojnë”, përfundon reagimin e tij Behgjet Pacolli./rajonipress/


