Hidromorava

Filloi Seminari

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Me ceremoninë hapëse ka nisur në Prishtinë edicioni i 35-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Seminari po i zhvillon punimet në ambientet e Fakultetit të Filologjisë.

Lindita Rugova, dekane e këtij fakulteti, i uroi mirëseardhje pjesëmarrësve, studentëve e studiuesve të këtij seminari. Në fjalën e saj të rastit ajo u shpreh se të flasësh për historikun e seminarit është njësoj si të flasësh për jetën e Fakultetit të Filologjisë në veçanti dhe të Universitetit të Prishtinës në përgjithësi.

“Është kënaqësi e papërshkueshme për mua që të kthehem në këtë foltore pas 14 vjetësh si sekretare profesionale dhe zëdhënëse e seminarit të atëhershëm, për të vazhduar më tutje me pjesëmarrje dhe angazhime të vazhdueshme. Ata që e kanë bërë këtë detyrë e din se për çfarë po flas, por para së gjithash këtë ndjenjë më së miri e njohin themeluesit e këtij institucioni të rëndësishme të shkencës së albanologjisë: Idriz Ajeti dhe Rexhep Ismaili, si dhe e tërë ajo plejadë profesorësh e intelektualësh që në vitin 1974 i kontribuuan themelimit”, tha Rugova.

Të pranishëm në hapjen e seminarit ishin edhe zyrtarë të lartë të shtetit, nisur nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se institucionet e Kosovës e vlerësojnë lart këtë seminar.

“Për institucionet e Republikës së Kosovës është nder i veçantë të kemi një seminar të tillë në të cilin studiues të gjuhës shqipe anë e këndë rruzullit tokësorë vijnë në Kosovë, njohin gjuhën kulturën dhe identitetin tonë”, tha Veseli.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se ky seminar është një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën shqipe.

“Ky seminar gjatë shumë viteve ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës, gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe njohjen e Kosovës nëpërmjet këtyre vlerave themelore me të cilat përfaqësohet identiteti ynë kulturor. Unë jam shumë falënderues ndaj gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë seminar që nga fillimi e deri më sot, ndaj atyre që e mbajtën gjallë dhe po vazhdojnë këtë traditë. Seminari pa asnjë dyshim është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqipe”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Mobi Casa

Përkrahjen e tyre për këtë seminar e konfirmuan edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami. Seminarin zyrtarisht me fjalën e tij e hapi drejtori Rrahman Paçarizi.

“Sivjet jemi të lumtur t’ua urojmë ditëlindjen e 80-të disa prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare: Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes dhe Adem Demaçit. Viti 1936 ishte viti kur bota po trazohej nën zhurmën e armëve, por shqiptarëve u dhuroi disa nga figurat më të rëndësishme. I paçim të shëndetshëm dhe prodhimtar! Viti 2016-të është vit jubilar për letërsinë botërore dhe shqiptare, 400-vjetori i Shekspirit dhe Servantesit do të shënohet në këtë edicion të seminarit, që nuk është institucion i izoluar i albanologjisë”, tha Paçarizi.

Drejtori i seminarit u kërkoi përfaqësuesve të pushtetit përkrahje të vazhdueshme të këtij organizimi, që hasi në pengesa vetëm në çastet më të vështira të shoqërisë kosovare.

“Edicioni i 35-të i seminarit që ka moshë 42 vjeçare, d.m.th 7 edicione më pak, tregon për rrugëtimin e vështirë që ka bërë ky seminar, i cili ka përjetuar dy ndërprerje në periudha të rënda të shoqërisë kosovare. Ndaj, kushdo që synon ta pengojë zhvillimin e seminarit më çfarëdo arsyetimi, qoftë me shpikjen e pengesave administrative, procedurale, financiare, le t’i kthehet pak historisë për të parë se sa të palavdishëm ishin dhe ç’vend në histori zënë ata që e penguan mbajtjen e seminarit”, përfundoi Paçarizi.

Ky seminar do të shtrihet mes datave 15 dhe 26 gusht, ku për dymbëdhjetë ditë me radhë organizon prezantime shkencore, ligjërata, referime, diskutime, kurse gjuhe e vizita.

Edhe këtë vit ky seminar karakterizohet nga tri tema bosht. Tema boshte e sesionit të letërsisë është “Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe”, tema e sesionit të gjuhësisë është “Varietetet e shqipes”, ndërkohë që nga viti i kaluar është themeluar edhe sesionin e kulturologjisë, ku tema boshte sivjet është “Media në epokën e internetit”.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar 42 vite më parë, përkatësisht në vitin 1974 nga disa intelektualë dhe albanologë të shquar të asaj kohe./zeri/