Rrëfehet Mavraj
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj pritet të zgjasë kontratën me Koln-in. Ai në një intervistë për ‘Bild’ ka folur edhe për Kampionatin Evropian, kualifikueset për Botëror, shqiptarët dhe gruan ideale, sipas tij. “Jam në top-formë dhe nuk kam më probleme. Por, përgatitjet për Kampionatin Evropian, eliminimi dhe vetëm dy javë pushim për të filluar stërvitjet ishin të lodhshme. Kur luajtëm futboll me nipin tim një- kundër-një, më dha gol pas vetëm një minutë.
Ka pasur bisedime për të ardhmen time, por ajo që mund të them tani është se klubi është i kënaqur me mua dhe unë jam i kënaqur me klubin. Gjithashtu jam i dashur edhe për tifozerinë. Jam falënderues sesi i kalova gjithë ato sende të rënda që më ndodhën, lëndimi në gju, por edhe vdekja e babait. Erdhën papritur dhe ishte e vështirë, por me punë dhe ambicie i tejkalova. Shpërblimin ma ka dhuruar i madhi Zot”, rrëfehet Mavraj, i cili flet edhe për agjërimin. “Agjërova para dhe pas ndeshjeve në Kampionatin Evropian, ndërsa gjatë ditëve kur kishim lojë jo. Gjatë kohës së Evropianit jam dobësuar 2.5 kilogramë”, theksoi ai. Shqiptarët janë besnikë Gjermanët janë të habitur sesi futbollistët u pritën si heronj në Shqipëri, edhe pse ishin eliminuar në grupe. “Kampionati Evropian më ka përulur. Shikoni:
Kur njerëzit të cilët nuk kanë çfarë të hanë dhe dalin në rrugë për të festuar, më bën shumë me fat. Dhe më shumë se fat, që unë mund të jem një futbollist. Ne tani përpiqemi të kualifikohemi në Kampionatin Botëror”, nënvizoi 30-vjeçari. Tifozët e Koln-it kanë marrë një iniciativë interesante, duke tentuar t’i gjejnë një grua. “Kjo është një punë shumë personale. Momentalisht nuk kam të dashur. Ka shumë gra të ndershme e të mira dhe është e vështirë të gjesh të duhurën. Unë jam shqiptar i rritur në Gjermani. Unë mendoj si gjermanët, por kultura shqiptare më ndjek hap pas hapi”. Në fund ai flet edhe për shqiptarët. “Janë besnikë në shoqëri dhe në fjalë, gjithashtu shumë të përzemërt. Fëmijët te shqiptarët janë shumë të rëndësishëm. Nëse ti je xhaxha, nuk bën dallim me fëmijët e tu. Kur unë shikoj fëmijët e vogël, më futen menjëherë në zemër. Fëmijët në kulturën tonë kanë një vend të posaçëm, por nuk janë të arsimuar si në Gjermani”, përfundoi Mërgim Mavraj.
(Kosova Sot)


