Opozita: Demarkacioni, marrëveshje kapitullimi
Kuvendi i Kosovës përsëri është shndërruar në arenë akuzash e kundërakuzash mes pozitës e opozitës. Seanca plenare edhe dje u shfrytëzua për t’i bërë thirrje pozitës për të mos e kaluar Demarkacionin me Malin e Zi, duke vlerësuar se ratifikimi i saj është kapitullim për shtetin e Kosovës.
Kundërshtimi ndaj Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk hiqet nga rendi i ditës në çdo vend ku opozita mund ta thotë fjalën e saj. Edhe në seancën plenare të së enjtes u shfrytëzua rasti që t’u bëhet thirrje deputetëve për të mos votuar pro kësaj marrëveshjeje, e cila po cilësohet e dëmshme për shtetin pasi i falet tokë shtetit fqinj.
Derisa jashtë Kuvendit po mbahej një protestë e thirrur nga “Vetëvendosja”, ish-lideri i saj Albin Kurti e ka quajtur marrëveshje të kapitullimit për Kosovën Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa vendimin e Qeverisë për procedimin e Projektligjit për ratifikimin e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi e ka quajtur të turpshëm./zeri/


