Kryetari i KH “Drita”, Arsim Halimi, paralajmëron: Kemi vështirësi, por klubi nuk do të shuhet
Gjilan – Sporti i Kosovës çdo ditë e më tepër po anashkalohet pa u ndihmuar e pa u përkrahur, e një fat të tillë po e përjeton edhe KH Drita si shumë klube tjera hendbollistike në Kosovë.
Peripecit e këtij klubi me traditë kanë filluar shumë vite më herët, por gjithmonë duke shpresuar se do të gjendet një zgjedhje afatgjate, është përfolur shumë këto ditë se KH “Drita” është shuar apo do të shuhet nga shumë individ dhe shumë ish-hendbollist të gjeneratave të ndryshme.
Ky klub kishte mbajtur Kuvendin Zgjedhor në fillim të shkurtit të vitit 2021, ku kishte zgjedhur strukturat udhëheqëse të saj.
Kryetari KH “Drita”, Arsim Halimi, lidhur me thashethemet se klubi është shuar apo do të shuhet me kryesin e saj, ka reaguar duke theksuar se këto thashetheme janë të pavërteta dhe të gjithë ata që mendojnë në këtë mënyrë nuk ia dojnë të mirën e klubit. “Është e vërtet se ne klubin e kemi marrë në një gjendje shumë të keqe, ne kur e kemi marrë klubin ishte kohë pandemie. Lidhur me deklaratat e këtyre ditëve se klubi është shuar apo do të shuhet shumë shpejt, janë totalisht të papranueshme dhe njerëzit që mendojnë se do të shuhet klubi e kanë shumë gabim. Ne kemi vështirësi financiare si të gjitha klubet tjera, ne po mundohemi me gjithë kryesinë të mbijetojmë për t`i mos i lënë hendbollistët në rrugë, por është shumë vështirë të mbijetohet pa ndihmën e askujt. Një pengesë serioze e kemi pasur edhe Palestrën ku ndeshjet si vendas i kemi zhvilluar si mysafirë pasiqë Palestra ka qenë e nxanun për vaksinimin e qytetarëve të pandemisë COVID19, e gjithë kjo na ka kushtuar duke ditur buxhetin e klubit që është në një gjendje të vështirë financiare”.
Kryetari Arsim Halimi, ka apeluar tek hendbollistët e shumë gjeneratave që të vinë në klub për të dhënë kontributin e tyre. “KH Drita nuk është vetëm i kësaj kryesie, ky klub është i të gjithëve. Unë ju bëjë ftesë të gjithë dashamirëve të hendbollit dhe të gjithë hendbollistëve le të na bashkëngjiten që të kontribuojnë në mënyra të ndryshme për mbajtjen e klubit, të japin kontributin e tyre për ngjyrat “bardhekaltër”.
Po ashtu kam një kërkesë tek të gjitha bizneset e qytetit të Gjilanit, që t’na dalin në ndihmë për të mbijetuar në mënyrë që së bashku ta rikthejmë namin që ka pasur dikur hendbolli i Gjilanit”.
Halimi ka bërë me dije se çdo ndihmë që jepet për klubin do ta bëjmë transparente. “Hendbolli i qytetit të Gjilanit nuk e meriton këtë gjendje që ka ardhur KH “Drita”, por pa përkrahjen e Komunës dhe pa ndihmën e bizneseve do të jetë vështirë”. Shumë dashamirë të hendbollit dhe shumë biznese që gravitojnë në qytetin e Gjilanit është mirë që t`i ndihmohet këtij mesi hendbollistik që dikur ishte krenari e qytetit për ti mos i lënë hendbollistët në mëshirën e fatit. Tani është koha të veprohet e të ndihmohet”./rajonipress/

