Nën qiellin e largët
Janë ngritur somnambul dinozaurët e një kohe që nuk njihet dhe i sheh gjithkund në vallëzim me shtrigat e me erërat e tërbuara.
Trupi im vallëzon pa asnjë rregull e pa as më të voglën dëshirë dhe në pentagramin e zemrës së krisur jehon një muzikë mortore.
Nën qiellin e largët, ylli polar ka fiksuar rrugën time të qumështit të djegur, për të më dërguar në një planet të panjohur.
Vallë, ku ta gjej penën e artë e ta vizatoj virgjëreshën në një lojë ruleti?
Muzikantët mund të vazhdojnë ritmin e tyre, deri në natën tjetër, e unë do të çmallem, duke e mashtruar veten, nëpër melodi të shfrenuara e pa asnjë rregull./rajonipress/
Ramadan Mehmeti


