Mobi Casa

“Puç ushtarak” në epokën e facebook-ut: Turqia mes demokratizimit dhe dorës së hekurt!

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Burim Ramadani – Në kohën, që me të drejtë quhet edhe si “epoka e teknologjisë” apo “epoka e internetit”, format dhe tentimet e puçeve ushtarake për drejtimin e shtetit janë të pazakonshme.

Në kohën e konsolidimit të demokracisë, “puçi ushtarak” shkel një prej elementeve bazë për supremacinë civile demokratike mbi të uniformuarit.

Në kohën e pasigurisë globale, nëpër të cilën po kalon bota, “puçi ushtarak” është me elemente të mëdha rreziqesh të panumërta.

Porse, ajo që ndodhi në Turqi, mbrëmjen e 15 korrikut 2016, dallon nga të gjitha rastet e “krizave”, “trazirave” dhe “pranverave” në vendet tjera gjatë 4-5 vjetëve të fundit.

Dallon, po ashtu, nga klasikja e puçeve ushtarake. Dallon nga ajo që shihej si traditë turke, ku ushtria e sheh veten si gardiani i demokracisë. Për më tepër, ishte një tentim për puç ushtarak kundër një pushteti të zgjedhur nga qytetarët, por që ka nivele jashtëzakonisht të mëdha të autokracisë.

Pra, ishte një tentim i një pjese të madhe të ushtrisë, por jo tentim i ushtrisë në kuptimin e plotë të fjalës.

Prandaj, edhe duket se ishte i destinuar të zgjedh midis dy opsioneve: të dështojë apo të shkaktojë një valë të madhe vrasjesh ndaj civilëve dhe ndërmjet institucioneve të sigurisë.

Fundamenti

Në të vërtetë, një paraqitje publike e Presidentit Erdogan përmes aplikacionit elektronik “FaceTime”, mund të shihet edhe si një moment i rëndësishëm kthese në ngjarjet e (pa)pritura të së premtes mbrëma. Pra, sërish, u ridëshmua se epoka e teknologjisë është ndryshe. Ndryshon nga epokat tjera. Ndryshon gjithçka në shoqëri.

Sidoqoftë, një tentim puçi ushtarak në Turqi, mbi të gjitha, ka rikonfirmuar vështirësitë në konsolidimin e demokracisë atje. Shteti i madh dhe i fuqishëm turk, nuk ka arritur edhe më tutje të ndërtojë demokracinë e qëndrueshme.

Më tutje, Turqia gjysëm-autoritare do të vendos nëse do të shkojë para apo mbrapa. Nëse do të ndërmerr veprime që të demokratizojë shtetin dhe shoqërinë apo do të thellojë “grushtin e hekurt” për të shkuar me hapa të mëdhenj drejt diktaturës.

Kjo, para së gjithash, duket se varet mjaft shumë nga vet Presidenti Erdogan. Se si do ta trajtojë ai tash opozitën, kundërshtarët, komunitetet e margjinalizuara, kurdët dhe të tjerët që kudërshtojnë sjelljet autoritare të Erdoganit. Megjithatë, pothuajse të gjithë kundërsharët politik të Erdoganit, mbrëmë ishin kundër “puçit ushtarak”. Pra, i zgjatën dorën atij!

Nëse dora e zgjatur opozitare do të nënkuptojë zgjatje dore edhe nga Erdogani, atëherë do të shohim hapa vendimtarë drejt demokratizimit. Në njëfarë forme, del se tentim puçi ushtarak, paradoksalisht, del i efektshëm!

Nëse dora e zgjatur opozitare do të thyhet nga Erdogani, atëherë Turqia mund të rrezikojë kah diktatura. Në këtë skenar, tentim puçi ushtarak vetëm e përshpejton thellimin e autokracisë!