Edhe një nëndegë e AAK-së e pushon aktivitetin në Gjilan
Gjilan – Rifat Maloku kryetar i nëndegës së AAK-së në lagjen e VIII thotë se për shkak se po injorohen nga kryesia e degës dhe për shkak se nuk po përkrahen të rinjtë dhe nuk janë vizituar asnjëherë nga dega, kanë vendosur që të ngrijnë aktivitetin e nëndegës derisa të përmirësohet kryesia dhe kryetari i saj.
Edhe një nëndegë e AAK-së, pas asaj të Livoqit ka vendosur të ngrijë aktivitetin e saj në shenjë pakënaqësie ndaj sjelljeve dhe injorimit që u kanë bërë kryesia e degës dhe kryetari i saj.
Rifat Maloku kryetar i nëndegës në lagjen e VIII tha se po e ndërmarrin këtë hap sepse nuk po funksionon asgjë. “Vazhdimisht na ka injoruar kryesia e degës dhe kryetari i saj Rexhep Kadriu. Askush asnjëherë nuk na ka vizituar askush, kurse të rinjtë nuk po përkrahen e njerëzit e vendosur në kryesi po punojnë për interesa e klane të tyre personale” tha Maloku.
Maloku tha se AAK dega në Gjilan duhet të përmirësohet dhe të mendojë edhe për nëndegët e saja. “Derisa ata të sillen vetëm rreth një klani të caktuar apo grupi interesash personale ne nuk do të funksionalizojmë nëndegën” tha Maloku.
Ndërkaq, Ibish Ibishi nënkryetar i parë i AAK-së në Gjilan tha për rajonipress se ngrirja e aktiviteteve nga ana e dy nëndegëve vërtet është shqetësuese. “Kjo realisht që po ndodhë me nëndegët është shqetësuese dhe ne si kryesi duhet të ulemi dhe t`i shohim të metat tona ose të shohim se ku nuk ka funksionuar zinxhiri i mos bashkëpunimit” tha shkurt Ibishi./rajonipress/


