Eko Higjiena

Politika pa shkencë është dogmë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lisen Bashkurti – Dëgjova këto ditë se një politikan i lartë i Qeverisë së Kosovës ka thënë se politika nuk paska nevojë për zgjidhjet e shkencës, për rrjedhojë as për shkencëtarët!!!! Nuk dua ta besoj. Uroj të jetë ndonjë lapsus lingua ose ndonjë lojë rrjetesh sociale.

Eterit e politikes Sokrati, Aristoteli, Platoni në antikitetin Helen. Akuini, Makiaveli, dr. Luteri nga Mesjeta e Hershme deri në atë të vonë. Fojerbahu, Hegeli, Gete, Grocius, Shiler e Volteri klasiket e mendimit filozofik politik. Rishelje, Lock, Monteskje themeluesit e politikës moderne, të shtetit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të iluminizmit. Meterniku, Talejrani, Sent Simoni ndërtuesit e sistemit Evropian e ndërkombëtar konsensual e multilaterar, hedhësit e bazave juridike të shtetit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Më tej Bismarku dhe Franc Jozefi deri të Uidrou Uillson e Lenini në rendin e Versajës që mbyllen shekullin e 19-të dhe i hapen rrugën ideve të reja universale, Lidhjes së Kombeve, diplomacisë publike dhe Traktateve te Paqes.

Curcilli, Rusvelti, Keinsi, Zhan Mone, Kisingeri e deri të liderët bashkëkohor të pas Luftës së Dytë Botërore e kanë lidhur mendimin dhe veprimin e tyre politik ngushtësisht me arritjet e shkencës. E përbashkëta e tyre. Te gjithë eterit e politikës kanë pasur vlerësimin më të lartë për shkencën. Shumica e tyre kanë ardhur nga shkenca drejt politikës dhe asnjëherë nuk i ndanë këto dy fusha veprimtarie shoqërore.

Shkenca është luftë për të vërtetën. Politika është arti i mobilizimit të burimeve njerëzore për të realizuar idealet, dëshirat dhe nevojat e njerëzve.
Idealet, dëshirat dhe nevojat e njerëzve përmbushen nëse bazohen tek dituria, kultura dhe shkencat. Ndryshe ato nuk mund të realizohen. Kësisoj politika pa dituri, kulturë dhe shkencë është rruga drejt dështimit.

Politika është koncentrim i ekonomisë. Ekonomia është shkencë nga me rigorozet. Politika pa ekonomi është retorikë boshe. Ndërsa politika ekonomike pa shkencat ekonomike është rruga drejt varfërisë dhe falimentimit.

ARKATANA

Politika është dimension i gjerë social. Sociologjia është inxhinieria e shkencave humane. Politika pa dimensionin social humbet qëllimin themelor-njeriun. Por dimensioni human studiohet si shkence e inxhinierisë sociale. Kësisoj politika pa shkencat sociale është rruga e sigurt drejt përplasjeve dhe katastrofave shoqërore.
Politika ka përmasa të gjera ndërkombëtare gjeopolitike, gjeostrategjike, gjeoekonomike, gjeokulturore dhe diplomatike, bilaterale dhe multilaterale. Kësisoj politika ndërkombëtare dhe diplomacia janë nder shkencat më të komplikuara dhe shumë dimensionale. Themelet e tyre janë gjeografia, historia, politika ndërkombëtare, ekonomia, e drejta ndërkombëtare, siguria, kulturat, teknika, teknologjia, mjedisi, diplomacia.

Politika ndërkombëtare dhe diplomacia pa këto shkenca janë të vërbëra. Si të vërbëra ato krijojnë dështime dhe kriza të pashmangshme për shtetet që përfaqësojnë, por edhe përtej tyre.

Politika pa shkencë dogmë. Nëse politika nuk ka nevojë për shkencë ku i gjen ajo ndriçimet e rrugës se saj? Ku i mbështet argumentet për politikat, projektet dhe programet e saj? Si i parashikon pritshmëritë e realizimeve dhe përballjen e sfidave? Me çfarë mekanizmash i matë sukseset dhe dështimet? Si i bën analizat krahasuese dioptrike dhe diskronike?

Përgjigjet e gjithë këtyre pyetjeve të shpien drejt shkencave. Vetëm nëpërmjet shkencave politika mund të verifikojë veten e vet. Nëse politika nuk mbështetët në shkencë pyetjet e lartpërmendura ngelen pa përgjigje.

Për rrjedhojë politika shndërrohet në dogmë. Politikat dogmatike nuk janë zhvillimore. Si të tilla janë dështake. Politikanët që mendojnë së politika nuk ka nevojë për shkencë dhe se qeverisja nuk ka nevojë për shkencëtarë janë obskurantet e kohëve moderne. Ato bllokojnë ndryshimet, lëvizët e zhvillimet.
Politikanët dogmatik ose antishkencë janë tragjikomik. Ata qëndrojnë midis Makbethit të Sheksprit dhe Don Kishotit të Servantesit….që të dy jashtë kohe.