Opozita: Mustafa, i njëjtë si Thaçi me kapjen e shtetit
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, edhe pse ishte zotuar gjatë fushatës zgjedhore se me marrjen e besimit për formimin e Qeverisë së re do t’i jepte fund kapjes së shtetit që e kishte bërë PDK-ja për dy mandatet e kaluara pas ardhjes në pushtet, po bën gati dy vjet në drejtimin e Ekzekutivit të vendit, por edhe nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Përfaqësuesit e partive politike opozitare dhe analistët politikë vlerësojnë se dështimi i arritjes së ndonjë ndryshimi për të mirë nga qeverisja e Mustafës vjen si pasojë e sjelljes mashtruese karshi elektoratit të vet dhe qytetarëve të vendit, pasi qëllimi final ka qenë ndarja e kulaçit në vazhdimin e kapjes së shtetit së bashku me PDK-në dhe jo për të bërë kthesë pozitive në përmirësimin e qeverisjes së vendit, shkruan Gazeta Kosova Sot.
Marrë në tërësi, nuk ka kurrfarë ndryshimi në mentalitetin qeverisës, njëjtë si ajo e dy mandateve të kaluara, vetëm se janë ndërruar aktorët. Zgjim Hyseni, nga Lëvizja “Vetëvendosje!” thotë për “Kosova Sot” se të gjitha premtimet e Mustafës gjatë garës për pushtet po mbeten një mashtrim ordiner, derisa ndryshimet nuk po shihen asgjëkund në përmirësimin e politikave qeverisëse, vetëm sa po degradojnë ato deri në rrezikimin e sovranitetit të shtetit. “Qeverisja e Isa Mustafës nuk dallon fare nga qeverisja e Thaçit. Sikur atëherë, edhe tash po vazhdojnë punësimet klienteliste, shpërblimet për njerëzit e dëgjueshëm etj. Të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike, të gjitha agjencitë e pavarura, por edhe shërbimi diplomatik janë të mbushur me njerëz të dërguar nga LDK-ja dhe PDK-ja”, u shpreh Hyseni.
Askush nuk jep llogari
Vlerësim të ngjashëm negativ, për vazhdimin e traditës së qeverisjes së keqe, si model të qeverisë “Thaçi 1 dhe 2″, ka edhe deputetja Teuta Haxhiu nga AAK-ja. ” Si pasojë e sjelljeve arrogante të atyre që sot e kanë kapur shtetin, madje do të thosha se nëse deri para një viti e më shumë shteti ishte i kapur nga PDK-ja, tashmë ai është kapur nga të dyja anët, pra edhe nga LDK-ja dhe gati sa nuk e kanë shqyer të tërin,dy partitë pozitë në Kosovë. Me një fjalë, keqqeverisja, korrupsioni dhe krimi i organizuar si alternativa të koalicionit aktual qeverisës, në vend të sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik kanë bërë që të lëmë mbrapa një vit krejtësisht të dështuar, për të vazhduar kështu edhe me vitin e dytë të qeverisjes akoma më të dëmshme të këtij koalicioni, nga më të dështuarit që ngapërfundimi i luftës në Kosovë”, thotë Haxhiu për “Kosova Sot”.
Gjykim të ngjashëm kanë edhe analistët politikë. “Politika, që sot zhvillohet në qeverisjen e vendit, është politikë klanore, familjare ose militantësh politikë, të cilët janë të stacionuar në vende të caktuara kyçe, nëpër të gjitha bordet e rëndësishme, për ta ruajtur dhe për ta mbajtur pushtetin. Kjo situatë gjithsesi që u shkon për shtati të gjitha partive politike që ishin deri dje dhe që janë sot në pushet. Ato nuk i japin askujt llogari, sepse i kanë instaluar mekanizmat e tyre për ta zhvatur shtetin me klane dhe banda që u shërbejnë pushtetarëve të tyre dhe mafio -oligarkëve që e zhvatin dhe e dëmtojnë interesin e shtetit dhe qytetarin”, thotë analisti Ali Hertica për “Kosova Sot.


