Për Dritën fillon gjithçka pas festës së Bajramit
Gjilan – As dashamirët më të mëdhenj të KF Drita dhe as Kryesia e klubit nuk e kanë pritur një ramje drastike të klubit çfarë po ndodhë pas përfundimit të edicionit pranveror kur klubi është buzë greminës e cila po e pritë fatin e saj se çka do të ndodhë.
Klubi i Dritës në udhëtimin e saj 69-të vjeçar shumë herë në periudhat e saja historike ka qenë buzë shuarjes, por në momentet e duhura njerëzit që i kanë dashur ngjyrat “bardh e kaltër” i kanë dalë në ndihmë këtij klubi ku shumica e futbollistëve janë rritur, kanë luajtur e kanë përfunduar karrierën në këtë klub por në ditën e sotme të vjen në këtë gjendje është e pafalshme për ata që e duan emrin e klubit të Dritës.
Është mëkat i madh ta mendosh gjendjen e klubit në ditën e sotme kur të gjitha klubet kanë filluar përgatitjet për stinorin e ri ndërsa klubi i Dritës është në gjumë të thellë në pafuqi për të bërë një hap gjigant për tu zgjuar nga kjo e keqe të cilën e ka kapluar këtë klub futbollistik.
Është tragjike t`ju shuhet ëndrra e futbollistëve të cilët mbrojnë ngjyrat e klubit, është e pafalshme një armatë e tërë e tifozëve “Intelektualët” t`ju mbyllen ëndrrat e klubit të zemrës të cilët me vite të tëra kanë qenë shembull se si duhet përkrahur klubin e zemrës, ata gjithmonë kanë qenë për të mirë e për të keq afër klubit por tani ata kanë mbetur të mjegulluar duke mos ditur asgjë për fatin e klubit, ata nuk e meritojnë dhe nuk duan të mendojnë se klubi i tyre çdo dit është para fundosjes pa shpresë se do të bëhet mirë.
Për të mbajtur një klub gjallë për një vit të tërë duhet forcë dhe kapacitete të mëdha financiare dhe zemër të madhe çfarë ishte i papërsëritshmi Selami Osmani “Bezi” i cili nën menaxhimin e tij klubi i Dritës ka bërë dritë në çdo pjesë ku është paraqitur, ishte një emër i respektuar dhe shumë klube jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit ia kishin lakminë KF Drita mos i harroni këto ai sakrifikoi familjen e tij dhe biznesin e tij vetëm për një emër e ajo është KF Drita.
Shumë dashamirë të cilët e deshën Dritën bënë përpjekje të mëdha për ta mbajtur gjallë klubin me aq fuqi sa patën por edhe ata u lodhën pasi kostoja financiare ishte drastike e madhe e papërballueshme njëri ndër ta ishte edhe ish drejtori i klubit të Dritës, Burhan Rashiti.
“Me të përfunduar edicioni i garave kam dhënë dorëheqje kemi qenë 4-5 njerëz që e kemi mbajt gjallë klubin, u lodha nuk munda ma tutje të qëndroja, kostoja financiare ishte e madhe vetëm ne e dimë që kemi dhënë të holla për klubin se sa na ka kushtuar për një muaj të gjitha shpenzimet, ne i kemi lënë edhe familjet tona keq vetëm e vetëm për të mirën e klubit por u shterëm dhe po duam t’ju japim rast të tjerëve le ta mbajnë klubin e le ta shohin se sa është vështirë, se shumë është lehtë me i akuzua njerëzit, por kapaciteti ynë ishte ky dhe më vjen shumë keq për këtë gjendje të klubit zemra po më lëndohet por kjo është e vërteta dhe gjithë jeta ime do të jetë me Dritën ajo është frymëzimi i shumë gjeneratave të shkuara dhe gjeneratave të ardhshme”, shprehet i mërzitur ish drejtori i KF Drita, Burhan Rashiti “QUKSI”.
Pas përfundimit të vështirë të edicionit të kaluar të KF Drita e cila shpëtoi pas barazhit me Flamurtarin e Prishtinës, filluan ethet e dashamirëve të Dritës së klubit po i ndodh diçka e keqe, u fol e u përfol gjithçka për Dritën vet tifozët e sajë “Intelektualët” janë të hamendur se çka po ndodh me klubin e tyre edhe qytetarët flasin thashetheme për klubin por gjerë më tani këto ishin fjalë të kafiterive e të rrugëve por e vërteta e klubit shumë shpejt do të bëhet e ditur dhe dashamirët e Dritës dhe qytetarët do ta vlerësojnë realitetin e klubit.
“Kemi bërë të pamundurën të mundur, falë atyre që dhanë gjithçka që patën për të mirën e klubin dhe unë ju jam shumë mirënjohës për çdo kontribut që kanë bërë për klubin që nga punëtori më i thjesht e gjerë te kryesia e klubit, duhet pranuar se po jetojmë në një krizë ekonomike ti ndash mbi 10 mijë euro për një muaj për nevojat e klubit nuk janë pak, këtë duhet kuptuar çdo qytetar dhe tifoz i klubit edhe klubet më të mëdha evropiane kanë pas probleme financiare është koha që klubit ti ofrohen njerëz të rinjë të kontribuojnë për ngjyrat “bardh e kaltër” e jo t’na akuzojnë jo ky jo ai e pruni klubin në këtë gjendje, lehtë është me u deklarue se unë e du klubin ma shumë se ai apo ai tjetri por është tmerrësisht vështirë për ta udhëhequr t`i menaxhosh 25 futbollist për çdo ditë nuk është pak”, shprehet me zemër të thyer anëtari i bordit të Dritës, Sedat Pajaziti.
Sedat Pajaziti i cili tani e 40-të vite është afër klubit të Dritës për të gjithë dashamirët e Dritës ka një porosi të veçantë.
“Jam i sigurt se klubi i Dritës asnjëherë nuk do të shuhet, ajo është pjesë e familjes sonë më të jemi rritë dhe do të vdesim, pas festës së Bajramit do ta mbajmë një mbledhje të klubit ku gjithçka do të kristalizohet kam shpresa të mëdha se do të ndodhë një mrekulli ku së bashku do të gëzohemi me fitore të reja të klubit të Dritës, këtë e meriton ky emër i madh i futbollit Kosovar këtë e meritojnë qytetarët e Gjilanit dhe tifozët e saj më të mirë në botë “Intelektualët” “, shprehet Sedat Pajaziti.
A do të ndodhë mrekullia pritet ta përjetojmë brenda 3-4 ditësh në të kundërtën Drita do të venitet./sylejman ismajli/rajonipress/


