Edhe një aktakuzë ndaj Dragan Nikoliqit, dënimin prej 5000 eurove e pagoi me mjete të buxhetit komunal
Gjilan – Dragan Nikoliq kryetar i komunës së Parteshit akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit se dënimin e shqiptuar ndaj tij nga ana e inspektoratit të punës në vlerë të 5000 eurove, nuk e ka paguar nga xhepi i tij, por e ka urdhëruar drejtorinë për buxhet dhe financa që këtë shumë ta paguaj nga ana e buxhetit komunal.
Dragan Nikoliq dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” pasiqë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, në atë mënyrë që kundërligjshëm e ka shkarkuar nga pozita e asistentit administrativ Bozhidar Periqin, por që inspektorati i punës e kishte urdhëruar Dragan Nikoliqin që të dëmtuarin ta kthejë në vendin e tij të punës, ndërsa i pandehuri si kryetar komune nuk e respekton vendimin e inspektoratit për çka paditet me 5000 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës Dragan Nikoliq këtë dënim nuk e paguan me mjetet e tij buxhetore, por e urdhëron drejtorin për buxhet dhe financa që nga mjetet e buxhetit komunal të paguaj shumën prej 5000 eurove.
Dragan Nikoliq në hetuesi ka mohuar se ka nënshkruar ndonjë vendim rreth largimit të Bozhidar Periqit./rajonipress/


