Matoshi, priti zëvendësministrin e Diasporës Sahit Krasniqi
Kamenicë – Zëvendësministri Krasniqi e ka përgëzuar Komunën e Kamenicës për të arriturat e deritanishme dhe angazhimet në këtë fushë.
Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi së bashku me drejtorët Valon Maliqi e Agim Shkodra, e kanë pritur sot në takim zëvendësministrin e Diasporës Sahit Krasniqi, me bashkëpunëtorët.
Takimi u realizua në kuadër të vizitave që Ministria e Diasporës po bën në komunat e Kosovës për të koordinuar punët dhe aktivitetet e përbashkëta për pritjen, shërbimet dhe përcjelljen e bashkatdhetarëve.
Zëvendësministri Krasniqi e ka përgëzuar Komunën e Kamenicës për të arriturat e deritanishme dhe angazhimet në këtë fushë. “Ministria e Diasporës do të angazhoj staf shtesë për regjistrimin e Diasporës dhe numri i zyrtarëve që do të angazhohen për Komunën e Kamenicës është shtatë persona. Ky regjistrim nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç faktit se shteti ynë dëshiron të ketë të dhënat e sakta për numrin e mërgimtarëve dhe vendet ku ata punojnë e jetojnë. Diaspora është mjaft e rëndësishme për shtetin tonë, vetëm gjatë vitit të kaluar ata kanë dërguar 700 milion euro remitenca në Kosovë’ tha zëvendësministri Krasniqi.
Nënkryetari Matoshi e ka falënderuar Ministrinë e Diasporës për mbështetjen dhe koordinimin e përbashkët dhe e ka njoftuar zv.ministrin me përgatitjet që po bën Kamenica në këtë drejtim.”Ne tash e disa vite e zgjasim orarin e punës në shërbimet për të cilat kanë nevojë bashkatdhetarët tanë si në ofiqari dhe sektorë të tjerë, këtë vit në kuadër të Ditëve të Diasporës do të mbajmë edhe panairin “Kamenica 2016” i cili do të jetë dyditorë, dhe dita e dytë e tij do ti kushtohet në tërësi mërgimtarëve tanë. Ideja është që me datën 22 korrik të presim biznesmenët kamenicas që kanë firmat e tyre në diasporë dhe së bashku me ta të diskutojmë për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kamenicës. Ne duhet të jemi të gatshëm që atyre tu ofrojmë mundësi për të zhvilluar idetë e tyre dhe për t`i realizuar ato. Mundësitë tona janë në ofrimin e tokës, rregullimin e dokumentacioneve përkatëse dhe mbështetje të tjera të nevojshme. Kamenica ka potencial të mirë të fuqisë punëtore, ka rini të mrekullueshme dhe ne duhet të bëjmë hapa konkret me diasporën tonë që këta të rinjë të kenë mundësinë që të kenë një vend pune” ka thënë Nënkryetari Matoshi./rajonipress/


