Opozita: Arsimi dështon edhe këtë vit
Opozita kritikon Ministrinë e Arsimit për përmbylljen e një viti shkollor me mospërmbushje të premtimeve për ngritje të cilësisë. MASHT-i fton opozitën për kritika me alternativa konkrete.
Opozita kosovare ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për mospërmbushje të objektivave të saj në ngritjen e cilësisë në arsim. Anëtarë të Komisionit Parlamentar që janë nga opozita kritikojnë ministrin, Arsim Bajrami, se nuk ka përmbushur premtimet e dhëna për përmirësim të cilësisë në arsim.
Ndërsa kabineti i ministrit, Arsim Bajrami, i ka quajtur të mirëseardhura kritikat, por jo siç janë shprehur zyrtarë të këtij dikasteri – boshe dhe të paargumentuara, shkruan sot gazeta ‘Zeri.
Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim nga radhët e LVV-së, ka thënë për gazetën se në muajin shtator ministri i Arsimit ka konstatuar se i kanë realizuar 10 objektiva. “Diku në fillim të këtij viti (shkollor) në shtator ai ka ardhur (Komisioni) me konstatimin se i kanë realizuar 10 suksese që i kanë të përfunduara dhe një ndër to e ka përmendur cilësinë në arsim. Dhe kur diskutuam për cilësinë në arsim ai (ministri Bajrami) tha se jo nuk është një sukses i arritur, por është objektiv që do ta arrijmë gjatë vitit në vijim”, tha ai./zeri/


